Krasniqi: Aktivisti i LDK-së nuk shkeli rregullat zgjedhore, veprimi i Sveçlës i papranueshëm

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se sipas rregullave të KQZ-së, hapësira e qendrave të votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Sipas tij Sveçla në vend se të garantonte rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografoi dhe…

Lajme

09/11/2025 12:27

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se sipas rregullave të KQZ-së, hapësira e qendrave të votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.

Sipas tij Sveçla në vend se të garantonte rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografoi dhe kërcënoi një zyrtar të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – “pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore”.

“Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi. Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse – jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit. Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore.”

Ai ka shtuar se ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor.

“Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive. Në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë – jo ta zbehin atë kufi.”