Shatri: Vendimi i qeverisë në detyrë për të proceduar ligjin për buxhet, ‘absurd i llojit të vet’

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një intervistë dhënë për dokumentarin “Expose” ka folur për çështjen e buxhetit dhe propozimin e qeverisë në detyrë për t’a miratuar. Shatri tha se të gjitha strukturat shtetërore, shoqëria civile por edhe mediat e kanë kundërshtu mundësinë që një qeveri në detyrë mundet me propozu Ligjin për buxhet. Ai…

Lajme

08/11/2025 16:45

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një intervistë dhënë për dokumentarin “Expose” ka folur për çështjen e buxhetit dhe propozimin e qeverisë në detyrë për t’a miratuar.

Shatri tha se të gjitha strukturat shtetërore, shoqëria civile por edhe mediat e kanë kundërshtu mundësinë që një qeveri në detyrë mundet me propozu Ligjin për buxhet.

Ai tha se vendimi i qeverisë në detyrë për të proceduar ligjin për buxhet është ‘absurd i llojit të vet’.

“Të gjitha strukturat shtetërore, të shoqërisë civile, mediat edhe nga spektri i drejtësisë e kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me propozimin e Qeverisë për miratimin e buxhetit, dhe e kanë kundërshtu mundësinë që një Qeveri në detyrë mundet me propozu Ligj, në këtë rast Ligjin për buxhetin. Ne e dimë më herët që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizu edhe një udhëzim administrativ të kësaj Qeverie, le më një ligj që është i nivelit më të lartë si dokument zyrtar. Këta janë thirr në një nen, të ligjit për Qeverinë, nenin 31 ku thuhet ‘Qeveria në dorëheqje, që sipas juristëve nuk është e njëjta kategori…pra është tjetër tretman qeveria në dorëheqje, tjetër qeveria në detyrë. Shto kësaj edhe një aspekt tjetër, të njëjtit njerëz që janë deputetë me betim të dhënë, po marrin vendime si ekzekutiv brenda Qeverisë duke filluar prej Kryeministrit, Ministrit të Financave e deri në fund. Kjo është komplet kontestuese dhe jo-kushtetuese. Ky kabinet qeveritar që u provua dy ditë përpara në Kuvend e nuk i mori votat, pra nuk u kualifiku si Qeveri, pas dy ditësh del me vendim për të proceduar ligj për buxhetin për vitin 2026. Pra edhe kjo është aburde e llojit të vet, pastaj janë edhe aspekte të tjera që kjo Qeveri që është zgjedh nga një legjislaturë e mëparshme nuk mundet me propozu ligj i cili në kohë shtrihet në afatin e një legjislacioni tjetër të ri, i cili legjislacion nuk i ka dhënë dritë të gjelbërt kësaj Qeverie sepse nuk ja ka dhënë 61 vota të nevojshme për të vazhduar me mandatin” deklaroi Shatri.

Ish-ministri, Shatri, deklaroi po ashtu se rritja e pensioneve dhe shtesave për fëmijët është jo-kushtetuese.

“Rritja e pensioneve dhe shtesave për fëmijët është po ashtu pjesë e diskutueshme dhe ashiqare është jo-kushtetuese, jo e ligjshme sepse është marrë një vendim nga një grup njerëzish të cilët nuk e kanë marrë mandatin si Qeveri dhe po propozojnë ndarje buxhetore si deputetë. Për me qartësu edhe më shumë, njësoj edhe zoti Haradinaj ka dalë me një propozim, paga minimale duhet me qenë 600 euro… të njëtën të drejtë e ka edhe ky si deputet, edhe ky deputet edhe ai deputet. Krejt kjo e ka anën e pandershmërisë karshi me qytetarin sepse po bëhet në kohë fushate. Njëjtë eshte edhe propozimi për pagën e 13-të, neni 31 i buxhetit të propozuar nga Qeveria në këtë rast Qeveria në detyrë thotë se paguhet paga e 13-të….këtu është berë një mashtrim për zgjedhësit sepse nuk është potencu se kjo pagë mund të jepet në fund të vitit 2026” tha Shatri.