Vesa Broja i reagon ekipit të Pecit: Lista e rreme e drejtorëve, dëshmi e panikut të humbjes suaj

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, e cila ka qenë vazhdimisht prezente gjatë fushatës së kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka denoncuar disa njoftime që tha se po shpërndahen nga kampi i Faton Pecit, ku një prej tyre ishte edhe shpërndarja e një liste për kinse drejtorë…

Lajme

08/11/2025 14:21

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, e cila ka qenë vazhdimisht prezente gjatë fushatës së kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka denoncuar disa njoftime që tha se po shpërndahen nga kampi i Faton Pecit, ku një prej tyre ishte edhe shpërndarja e një liste për kinse drejtorë të ardhshëm, për të cilën tha se ka shkaktuar konfuzion te qytetarët.

Sipas Brojës, sa herë që vijnë zgjedhjet lokale, kundërshtarët publikojnë lista “të dëshiruara” me drejtorë, duke futur në ato lista edhe figura “me reputacion jo të mirë, vetëm për t’i irrituar qytetarët dhe për të krijuar konfuzion”.

“Minimalisht, që 10 vjet e bëjnë të njëjtën gjë. Në kabinetin e kryetarit Arian Tahiri nuk do të emërohet askush pa përgatitje, arsimim dhe që nuk gëzon respekt te qytetarët. Drejtorët e rinj do të përzgjidhen në koordinim me partnerët e koalicionit, për të garantuar qeverisje profesionale dhe transparente”, tha Broja, duke e quajtur këtë praktikë një strategji të vjetër propagandistike që nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve.

Ajo theksoi se ky “manipulim i qëllimshëm” dezinformon dhe çorienton qytetarët, duke kultivuar mosbesim ndaj institucioneve.

“Kampi kundërshtar është në panikun e humbjes dhe po përdor taktika të njohura politike të frikës dhe sulmit, duke deformuar realitetin dhe duke fshehur mungesën totale të planeve konkrete për Mitrovicën”.

Broja është e bindur që qytetarët e Mitrovicës e kanë të njohur këtë metodë propagandistike dhe nuk mund të manipulohen më.