Xhandarmëria serbe plagosi një qytetar në Kosovë, Ramadani: U dëshmua që siguria kufitare me Serbinë mbetet e cenueshme
Eksperti i sigurisë dhe ish shefi i AKI-së, Burim Ramadani ka reaguar pasi Policia e Kosovës, ka njoftuar se xhandarmëria serbe ka rrëmbyer dhe plagosur një qytetar serb të Kosovës në territorin e Kosovës, dhe e ka dërguar në Nish. Këtë ngjarje, Ramadani e ka quajtur intruzion dhe ka thënë se ky është testimi i…
Lajme
Eksperti i sigurisë dhe ish shefi i AKI-së, Burim Ramadani ka reaguar pasi Policia e Kosovës, ka njoftuar se xhandarmëria serbe ka rrëmbyer dhe plagosur një qytetar serb të Kosovës në territorin e Kosovës, dhe e ka dërguar në Nish.
Këtë ngjarje, Ramadani e ka quajtur intruzion dhe ka thënë se ky është testimi i radhës që Serbia ia ka bërë Kosovës, nga ku xhandarët serbë sipas Ramadanit dolën pa “therrë në këmbë”, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se sërish po dëshmohet se siguria kufitare me Serbinë përveç se është sfidë, mbetet edhe e cenueshme kurdo që “i teket Serbisë”.
“Policia e Kosovës njoftoi me detaje se si xhandarët serb hynë në Kosovë, rrëmbyen një qytetar tonin të plagosur dhe e dërguar deri në Nish (duke kaluar disa vendbanime andej!) për trajtimin mjekësor. Intruzioni (shkelje e sovranitetit, hyrje e paligjshme nga shteti tjetër, ndërhyrje e paligjshme) duhet të evidohet edhe nga NATO dhe të dënohet ashpër! Serbia po teston gatishmërinë e Kosovës në sigurinë kufitare. Dhe, këtë radhë, rrëmbeu një qytetar tonin dhe e dërgoi ku deshi. Pa therë në këmbë për xhandarët serbë! Fatkeqësisht”, ka thënë Ramadani.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy ditë më parë ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.
Sipas informacioneve të deritanishme, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”,thuhet në njoftimin për media, transmeton lajmi.net.
Po ashtu u tha se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i Ramadanit|: