Kurti i kërcënoi se nuk iu jep buxhet, reagon AKK: Fyerje e drejtpërdrejtë për kryetarët e Komunave dhe cenim i barazisë institucionale
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërcënuar se se nuk do t’iu lëshoj buxhet komunave që sipas tij kanë kryetarë që vjedhin, ndërsa të tillë i quan të gjithë ata kryetarë që nuk janë nga VV. Në lidhje me këtë deklaratë të…
Lajme
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërcënuar se se nuk do t’iu lëshoj buxhet komunave që sipas tij kanë kryetarë që vjedhin, ndërsa të tillë i quan të gjithë ata kryetarë që nuk janë nga VV.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, AKK ka thënë se kjo përbën një fyerje të drejtpërdrejtë për Kryetarët e Komunave dhe ata që janë në proces të zgjedhjes, e gjithashtu edhe një cenim të parimeve themelore të barazisë institucionale dhe të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.
“Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021 e deri më sot, asnjë Kryetar Komune nuk është me aktakuzë për vjedhje. Në anën tjetër, në nivel qendror ka raste të zyrtarëve, përfshirë edhe ministra apo zëvendësministra, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Prandaj, përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë padrejtësisht imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale. AKK-ja gjithashtu rikujton se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur Kryetarë nga të gjitha subjektet politike, pa balotazh, pra kjo është dëshmi e qartë e besimit të drejtpërdrejtë dhe të gjerë që qytetarët kanë ndaj udhëheqësve lokalë. Prandaj, është e arsyeshme të pyetet: a i përfshijnë deklaratat e Kryeministrit edhe këta Kryetarë të zgjedhur që në raundin e parë, përfshirë edhe ata nga partia e VV-së?”, thuhet në reagimin e AKK-së.
AKK ka thënë se ndarja e buxhetit është çështje e rregulluar me ligje e jo çështje dëshire e as mundësi për konsum elektoral, shkruan lajmi.net.
“Shumica e Kryetarëve kanë qenë të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së investimeve kapitale nga niveli qendror, të cilat bëhen nga ministritë e linjave. Këto investime nuk ndahen sipas formulave ligjore, ashtu siç ndahen grantet qeveritare, por sipas vendimeve politike dhe kritereve selektive, përfshirë ato partiake dhe etnike, duke krijuar pabarazi të dukshme mes komunave dhe duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë. I nderuar z. Kurti, fondet publike janë të qytetarëve dhe ndahen për komunat sipas ligjeve në fuqi, jo sipas preferencave politike apo përkatësive etnike. Ato duhet të shpërndahen me kritere të qarta, të barabarta dhe transparente, në përputhje me ligjin dhe me frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet mes tjerash në këtë reagim.
AKK ka apeluar për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në funksion të forcimit të demokracisë lokale dhe përmbushjes së standardeve të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësive politike apo etnike”, ka thënë bordi i AKK-së. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: