Bajrami: S’ka mundësi ligjore që kjo legjislaturë ta votojë buxhetin – mos bini pre e propagandës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër lidhur me diskutimet për miratimin e buxhetit për vitin 2026, duke theksuar se legjislatura aktuale nuk ka bazë ligjore për ta bërë këtë. Sipas saj, nuk ka asnjë mundësi që deputetët të votojnë një buxhet të përgatitur nga kolegët e tyre që, sipas…

Lajme

30/10/2025 22:14

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër lidhur me diskutimet për miratimin e buxhetit për vitin 2026, duke theksuar se legjislatura aktuale nuk ka bazë ligjore për ta bërë këtë.

Sipas saj, nuk ka asnjë mundësi që deputetët të votojnë një buxhet të përgatitur nga kolegët e tyre që, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, janë konsideruar uzurpator të zyrave të Qeverisë. “Qysh deputeti Kurti me prezantu buxhetin dhe mandej ai bashkë me ne me u ulë me votu?! Ju lutem, mos lejoni me u normalizu e keqja,” ka shkruar Bajrami, transmeton lajmi.net.

Ajo ka kritikuar mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje po tenton të kontrollojë institucionet, duke e konsideruar këtë shkelje sistematike të ligjeve dhe Kushtetutës. “Atë që LVV nuk ka arritë me votë e me koalicione, po mundohet ta marrë përmes shkeljeve kushtetuese e ligjore dhe përmes uzurpimit të institucioneve,” ka shtuar ajo.

Deputetja ka bërë thirrje që buxheti të ndahet siç ishte planifikuar më parë, pa përfshirje politike të 700 familjeve të gazetarëve dhe stafit të RTK-së, dhe ka kujtuar se buxheti i Komunës së Prishtinës tashmë ishte miratuar nga Kuvendi Komunal më 9 dhjetor 2024.

Hykmete Bajrami ka përfunduar mesazhin e saj me thirrje për zgjedhje të shpejta: “Mjaft me blokada! Shkojmë në ZGJEDHJE TANI 🗳️ Qeveri brenda një jave pas rezultateve! Ky popull e ky shtet s’duron të mbetet eksperiment i Albin Kurtit!”./lajmi.net/