Kosova në udhëkryq politik: Kush mund të jetë mandatari i radhës dhe a ka mundësi të propozohet dikush tjetër nga VV dhe jo Kurti?

Në zyrat e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës tash e tetë muaj janë të ulur kryeministri në detyrë, zëvendëskryeministrat në detyrë dhe ministrat në detyrë. Kjo pasi që, që nga përfundimi i mandatit dhe mbajtja e zgjedhjeve, saktësisht më 9 shkurt të këtij viti ende nuk është formuar Qeveria e re. Kjo Qeveri u tentua…

Lajme

30/10/2025 22:36

Në zyrat e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës tash e tetë muaj janë të ulur kryeministri në detyrë, zëvendëskryeministrat në detyrë dhe ministrat në detyrë. Kjo pasi që, që nga përfundimi i mandatit dhe mbajtja e zgjedhjeve, saktësisht më 9 shkurt të këtij viti ende nuk është formuar Qeveria e re.

Kjo Qeveri u tentua të formohej të dielën e 26 tetorit, por pa rezultat.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i VV-së, partisë me rezultatin më të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit, u mandatua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të formuar Qeverinë Kurti III, por nuk ia doli.

Ai të dielën prezantoi kabinetin e tij qeveritar, por mori vetëm 56 vota për, të cilat ishin të pamjaftueshme për ta siguruar mandatin e tij në krye të Qeverisë edhe për katër vite të tjera.

A mund të jetë Kurti mandatari i radhës?

Melos Kolshi, hulumtues në IKD, ka thënë për lajmi.net se Albin Kurti nuk ka të drejtë të kandidohet sërish, por ka shpjeguar se dikush tjetër nga e njëjta parti mund të propozohet.

“Nëse ndonjë kandidat i propozuar nga LVV e bind Presidenten se i ka 61 vota, atëherë Presidentja mund ta dërgojë emrin e tij për të marrë besimin e Kuvendit. Në raundin e dytë nuk ka kufizime të emrave apo subjekteve, mjafton që Presidentja të bindet se mandatari i ka numrat e nevojshëm”, ka thënë Kolshi për lajmi.net.

Pas dështimit të Kurtit për të formuar Qeverinë, Kolshi ka theksuar se Presidentes Osmani i kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë për ta mandatuar kandidatin tjetër nga cilado parti që arrin të sigurojë 61 vota.

Çfarë ndodh nëse Qeveria nuk formohet?

Kolshi ka sqaruar për lajmi.net se nëse Qeveria nuk formohet, Presidentja ka në dorë vetëm një zgjidhje e që është shpallja e zgjedhjeve.

“Nëse Qeveria nuk formohet, Presidentja ka kompetencë që brenda 40 ditësh nga dita kur konstatohet mungesa e numrave të nevojshëm për formimin e Qeverisë, të shpallë zgjedhjet. Nuk ka opsion tjetër, pasi shpallja e zgjedhjeve brenda këtij afati është obligim kushtetues”, ka thënë Kolshi.

Nëse Qeveria e re nuk formohet dhe vendi shkon në zgjedhje, ato pritet të mbahen në dhjetor të këtij viti. Megjithatë, përfundimi i certifikimit të rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit mund të zgjasin disa muaj.

Kjo situatë do t’i sillte Kosovës probleme ekonomike, pasi një vend me Qeveri në detyrë nuk do të mund ta miratojë buxhetin për vitin 2026 – gjë që do të linte pa paga punonjësit publikë dhe pensionistët pa pensione.

Albert Krasniqi nga organizata D+ ka thënë se në Kuvendin e Kosovës nuk mund të thirret asnjë seancë derisa të mos formohet Qeveria, përveç atyre që lidhen me votimin e saj.

“Nga momenti i konstituimit të Kuvendit të ri e deri në zgjedhjen e Qeverisë, seancat mund të thirren vetëm me kërkesë të mandatarit të dekretuar nga Presidentja, dhe qëllimi i tyre është ekskluzivisht votimi i Qeverisë. Asnjë seancë tjetër e jashtëzakonshme, me çfarëdo rendi dite tjetër, nuk mund të mbahet në këtë periudhë. Për rrjedhojë, nuk mund të themelohen komisione parlamentare, as të shqyrtohen apo miratohen projektligje që kërkojnë bashkëpunim të rregullt ndërmjet pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, ka sqaruar Krasniqi.

Sipas tij, bazuar në Ligjin për Qeverinë, një Qeveri në dorëheqje ose në detyrë nuk ka të drejtë të miratojë projektligje, përfshirë edhe atë për buxhetin.

“Neni 31 i Ligjit për Qeverinë përcakton kufizimet që zbatohen për një Qeveri në dorëheqje. Sipas pikës 5 të këtij neni, këto kufizime vlejnë edhe për Qeverinë që ka përfunduar mandatin katërvjeçar të Kuvendit – pra për Qeverinë në detyrë. Në mesin e këtyre kufizimeve përfshihet ndalimi për miratimin e projektligjeve. Paragrafi 2 i të njëjtit nen bën një përjashtim për Qeverinë në dorëheqje, duke i lejuar asaj që t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit Vjetor. Një përjashtim i tillë nuk ekziston për Qeverinë në detyrë, që do të thotë se ajo nuk mund të propozojë as projektligjin për buxhetin, e aq më pak projektligje të tjera”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka përmendur edhe mundësinë e vetme për ta shmangur krizën buxhetore:

“E vetmja mundësi ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, me mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së. Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe legjitimitetit demokratik”, ka theksuar ai.

As kryeministri në detyrë dhe as krerët e partive të tjera nuk e kanë përmendur deri më tani mundësinë e formimit të një qeverie tranzitore pas dështimit të Qeverisë Kurti III.

Kurti të hënën, në një konferencë për media, ka thënë se Kosovën, përveç zgjedhjeve të balotazhit, e presin edhe dy palë zgjedhje të tjera: një në dimër dhe një në pranverë, kur pritet t’i përfundojë mandati Presidentes. Sipas tij, me këtë përbërje të Kuvendit nuk ka shpresë që të sigurohen 80 vota për presidentin e radhës.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka theksuar se zgjedhjet duhet të caktohen sa më shpejt. /Lajmi.net/