Durmishi: Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit vihen nën mbrojtje paraprake

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”. Durmishi ka thënë se ky është një ndër vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë dhe që e vendos vendin në krye…

Lajme

27/10/2025 14:39

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”.

Durmishi ka thënë se ky është një ndër vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë dhe që e vendos vendin në krye të listës së shteteve të Ballkanit Perëndimor për nga përqindja e territorit nën mbrojtje ligjore.

“Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas një studimi njëvjeçar në terren, ku është konstatuar se zona përbën pasuri të rrallë natyrore me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.

“Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht”, ka theksuar Durmishi.

Sipas tij, ky hap shënon përparim të rëndësishëm drejt ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor në vend.

Postimi i tij i plotë: