Kryeziu: Kokëfortësia e Kurtit dhe pasiviteti i opozitës po e mbajnë Kosovën në bllokadë institucionale

Ismet Kryeziu nga IKD, ka reaguar për situatën politike në vend, duke thënë se Kosova po përballet me një bllokadë të gjatë institucionale për shkak të kokëfortësisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pasivitetit të opozitës. Në një postim në rrjete sociale, Kryeziu ka vlerësuar se zgjedhjet e reja duken të pashmangshme, por ka ngritur dilema…

Lajme

27/10/2025 14:27

Ismet Kryeziu nga IKD, ka reaguar për situatën politike në vend, duke thënë se Kosova po përballet me një bllokadë të gjatë institucionale për shkak të kokëfortësisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pasivitetit të opozitës.

Në një postim në rrjete sociale, Kryeziu ka vlerësuar se zgjedhjet e reja duken të pashmangshme, por ka ngritur dilema nëse ato do të sjellin zgjidhje apo do të prodhojnë një krizë të re politike.

“Sot kemi një konfirmim të mungesës së vullnetit politik të Albin Kurtit për të bashkëqeverisur apo ndarë përgjegjësinë me opozitën. Në anën tjetër, kemi edhe një refuzim të qartë të bashkëpunimit me Kurtin nga ana e opozitës”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar “një rreth të mbyllur politik”, ku asnjëra palë nuk është e gatshme të ndryshojë pozicionin e vet, duke lënë vendin pa funksionalitet institucional.

Kryeziu ka kritikuar edhe mënyrën e qeverisjes së Kurtit, duke thënë se ai e sheh bashkëpunimin politik si rrezik për kontrollin mbi pushtetin, gjë që ka krijuar një “klimë të mbyllur dhe përjashtuese”.

“Kokëfortësia e Kurtit për të qeverisur i vetëm, e përforcuar nga bindja se ai është i vetmi garant i ‘vullnetit qytetar’, ka krijuar një sistem politik të brishtë. Madje, as zgjedhjet e reja nuk do ta ndryshojnë këtë qasje”, thekson ai.

Në anën tjetër, Kryeziu ka kritikuar opozitën për mungesë energjie, vizioni dhe guximi për të ndërtuar një alternativë qeverisëse.

“Një opozitë pa energji, pa guxim dhe pa vizion vështirë se mund të krijojë një opsion politik alternativ përballë Kurtit. Deri më sot, veprimet e tyre kanë qenë kryesisht reagime, pa ofertë të qartë për ndryshim”, shkruan ai.

Në përfundim, Kryeziu thekson se zgjidhja nuk qëndron vetëm tek cikli i zgjedhjeve, por në ndërtimin e një kulture politike të bashkëpunimit dhe përgjegjësisë.

“Çdo proces zgjedhor mund të prodhojë vetëm rotacion partish, por pa konsensus politik dhe përparësi të interesave shtetërore, Kosova do të vazhdojë të përjetojë krizë institucionale,” përfundon Kryeziu.

Postimi i tij i plotë: