Mediat botërore shkruajnë pasi nuk u formua Qeveria “Kurti 3”: Partitë refuzuan të qeverisin me Kurtin për shkak të raporteve të tij me Perëndimin
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi po përballet me një tjetër krizë politike që mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mediumi Reuters shkruan se Parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë kryeministrin ndërsa…
Lajme
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi po përballet me një tjetër krizë politike që mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Mediumi Reuters shkruan se Parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë kryeministrin ndërsa afrohen zgjedhjet e parakohshme.
Reuters thotë se zgjedhjet e parakohshme thyejnë një bllokim politik në Kosovë.
“Partitë e opozitës kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai i ka trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë dhe veprimet e tij në veriun e ndarë etnikisht të Kosovës”, shkruan mediumi.
Mediumi amerikan Bloomberg ka raportuar për situatën e tensionuar politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e re.
Sipas mediumit amerikan, deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues për krijimin e kabinetit të ri, por Kurti nuk arriti të marrë miratimin e Kuvendit për përbërjen e tij ministrore.
Bloomberg shkruan se Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të votonin në interes të shtetit dhe qytetarëve, duke paralajmëruar se mungesa e një qeverie funksionale mund të çonte në bllokimin e buxhetit dhe në vonesat e pagave publike, pensioneve, ndihmave për fëmijë dhe furnizimeve mjekësore. Ai kishte theksuar gjithashtu se dhjetëra agjenci shtetërore vazhdojnë të funksionojnë pa mbikëqyrje për shkak të vakumit politik.