Ish-presidenti i Francës Nicolas Sarkozy niset drejt burgut për të vuajtur dënimin pesëvjeçar

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg. Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi. Hera e fundit që i ka ndodhur diçka…

Bota

21/10/2025 10:44

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

YouTube player

https://www.france24.com/en/video/20251021-nicolas-sarkzoy-leaves-home-for-prison-in-front-of-family-and-supporters