KQZ përmbyll numërimin e votave nga jashtë vendit- Pritet të fillojë rinumërimi i 5 vendvotimeve dhe votat me kusht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur fazën e numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa po vazhdon me rinumërime të urdhëruara nga PZAP-i dhe me numërimin votave me kusht dhe të atyre të votuesve me nevoja të veçanta. Lidhur me këtë proces detaje për lajmi.net, ka dhënë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur fazën e numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa po vazhdon me rinumërime të urdhëruara nga PZAP-i dhe me numërimin votave me kusht dhe të atyre të votuesve me nevoja të veçanta.
Lidhur me këtë proces detaje për lajmi.net, ka dhënë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës është përmbyllur të hënën rreth mesnatës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.
Teksa sot në mëngjes në QNR ka filluar rinumërimi i 5 vendvotimeve, në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Këto vendvotime ndodhen në komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01), dhe Podujevë (1807/02).
Sipas KQZ-së, procesi do të nisë me komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listës së votuesve.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta është mundësuar votimi jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile.
Ndryshe sipas KQZ-së, në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime, që i përkasin të dyja llojeve të zgjedhjeve – për kryetarë komunash dhe për kuvendet komunale.
“Në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467 votues. Gjithashtu, në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve”, ka thënë Elezi.
Megjithëse Elezi theksoi edhe rëndësinë e procesit të skanimit të listave të votuesve që po zhvillohet paralelisht në QNR.
“Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht,”, ka theksuar Elezi.
Ndërkaq procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka konfirmuar balotazhin në disa komuna, derisa në të paktën një komunë ka sjellë ndryshime në renditjen e kandidatëve për kryetar. /Lajmi.net/
