Një 10-vjeçar dorëzon në polici një kuletë të gjetur me para në Ferizaj

Policia e Kosovës njofton se një 10-vjeçar ka dorëzuar sot në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente. Sipas policisë, më datën 20 tetor 2025, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N.Dashi së bashku me djalin e tij 10-vjeçar, E.D., nga Ferizaj, të cilët kanë dorëzuar një portofol…

Lajme

20/10/2025 19:12

Policia e Kosovës njofton se një 10-vjeçar ka dorëzuar sot në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente.

Sipas policisë, më datën 20 tetor 2025, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N.Dashi së bashku me djalin e tij 10-vjeçar, E.D., nga Ferizaj, të cilët kanë dorëzuar një portofol të gjetur në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj.

“Në portofol janë gjetur dokumente personale, si dhe 1130 euro, 20 franga zvicerane dhe 130 denarë maqedonas. Pas verifikimit, policia ka arritur të identifikojë dhe të kontaktojë pronarin, B.B. nga Kaçaniku, i cili është paraqitur menjëherë në stacionin policor dhe ka konfirmuar se të gjitha sendet dhe paratë ishin të paprekura, të cilat i janë kthyer me procesverbal”, thuhet në njoftim.

Pronari ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të sinqertë ndaj djaloshit dhe familjes së tij për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin dhe bashkëpunimin korrekt.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon djaloshin E. D. për këtë veprim human, edukativ dhe shembullor, i cili pasqyron vlera të larta morale, familjare dhe qytetare.
Ky gjest është një shembull frymëzues për fëmijët dhe qytetarët tanë mbi ndershmërinë, edukatën dhe përgjegjësinë shoqërore.