Guri: LDK-ja nuk bashkëpunon me Vetëvendosjen, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se zgjedhjet e reja nacionale janë pothuajse të pashmangshme. Guri tha se LDK-ja e ka bërë të qartë prej kohësh që nuk sheh asnjë mundësi për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen. “Shpresat, mendoj, se…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se zgjedhjet e reja nacionale janë pothuajse të pashmangshme.
Guri tha se LDK-ja e ka bërë të qartë prej kohësh që nuk sheh asnjë mundësi për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.
“Shpresat, mendoj, se LDK-ja ka qenë e para që ka treguar se nuk ka shpresa për një bashkëpunim të mundshëm, pasi që ne kemi qenë partia e vetme që kemi pranuar disa ftesa – madje mos të them që ishin vetëm ftesa, por edhe një mënyrë si lutje për bashkëqeverisje me LVV-në – dhe të gjitha i kemi refuzuar,” ka deklaruar Guri.
Ai shtoi se LDK-ja që në momentin e parë ka bërë të ditur qëndrimin e saj kundër një koalicioni me Vetëvendosjen.
“Që nga ftesa e parë, LDK-ja e ka bërë të qartë që nuk bashkëpunon me LVV-në. Kam dëgjuar në media që Vetëvendosja po përpiqet bashkë me Nismën të formojë qeverinë, mirëpo unë po flas për LDK-në – ne nuk bëjmë koalicion me LVV-në,” tha deputeti në teve1.
Sipas tij, partitë opozitare nuk kanë numrat e nevojshëm për të formuar një qeveri, çka, sipas Gurit, e bën të pashmangshme shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Sa i përket një koalicioni me partitë opozitare – ata nuk i kanë numrat për të bërë qeverinë. Prandaj jemi në një situatë ku zgjedhjet janë gati se të pashmangshme. Kjo është gjendja aktuale politike,” përfundoi Guri.