Policia konfirmon përdorimin e vërtetimeve mjekësore të falsifikuara gjatë zgjedhjeve në Kllokot, ka të arrestuar
Zgjedhjet Lokale në Komunën e Kllokotit nuk kanë kaluar pa incidente, pasi disa persona, sipas të dhënave të paraqitura, kanë tentuar në mënyrë të organizuar të ofrojnë asistencë sociale për qytetarë që dyshohet se nuk kishin nevojë. Kandidati për kryetar të Komunës, Arbër Emini, ka deklaruar se Lista Serbe ka përdorur vërtetime mjekësore të falsifikuara…

Lajme
Zgjedhjet Lokale në Komunën e Kllokotit nuk kanë kaluar pa incidente, pasi disa persona, sipas të dhënave të paraqitura, kanë tentuar në mënyrë të organizuar të ofrojnë asistencë sociale për qytetarë që dyshohet se nuk kishin nevojë.
Kandidati për kryetar të Komunës, Arbër Emini, ka deklaruar se Lista Serbe ka përdorur vërtetime mjekësore të falsifikuara për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Në lidhje me këtë rast për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka dhënë detaje.
Osmani ka thënë se nga ky rast një grua është arrestuar.
“Me datën 12.10.2025, në Kllokot e dyshuara femër kosovare dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit. E njëjta është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës me dyshimin se me veprimet e saja ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. Veprimet e mëtejshme hetimore janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit, përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedure të rregullt gjyqësore”, ka thënë Osmani për lajmi.net.

Derisa tashmë ky rast është denoncuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, si dhe janë informuar misionet ndërkombëtare për vëzhgim të afërt.
Në balotazhin e 9 nëntorit për kryetar të Kllokotit do të garojnë Lista Serbe me 41,62% dhe Srpska Narodna Sloga me 31,79% të votave.
Ndryshe kësaj radhe Kosova është përballur me një situatë të pazakontë të këtyre vërtetimeve mjekësore të falsifikuara e madje edhe me manipulim të mundshëm të votave. /Lajmi.net/