Kryeziu e ulë Pecin në tokë: Në sistemin tonë nuk ekziston koncepti i ‘padisë penale’
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, i cili paralajmëroi ngritjen e “padive penale” ndaj disa figurave publike dhe mediave, për siç tha, ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor. Në një postim publik, Kryeziu e cilëson këtë veprim si një manovër…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, i cili paralajmëroi ngritjen e “padive penale” ndaj disa figurave publike dhe mediave, për siç tha, ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor.
Në një postim publik, Kryeziu e cilëson këtë veprim si një manovër politike që mund të shërbejë për të mobilizuar elektoratin, por që nuk ka bazë juridike, transmeton lajmi.net
“Në sistemin tonë nuk ekziston koncepti i ‘padisë penale’. Personat fizikë apo juridikë nuk kanë as kompetencë, as të drejtë ligjore për të ngritur një të tillë. E vetmja palë e autorizuar për këtë është Prokuroria e Shtetit”, thekson Kryeziu.
Ai sqaron se ajo që qytetarët apo partitë politike mund të bëjnë është kallëzimi penal, domethënë njoftimi i Prokurorisë për një dyshim të caktuar, por thekson se një kallëzim i tillë nuk nënkupton detyrimisht që do të merret në shqyrtim apo të ketë ndonjë efekt të menjëhershëm ligjor.
Më tej, Kryeziu vlerëson se kjo nismë nuk sjell përfitim real politik, pasi – sipas tij – fitoret zgjedhore nuk fitohen as me exit poll-e, e as me padi publike.
“Ato fitohen me punë — lagje më lagje, derë më derë — sepse aty jepet verdikti real dhe final,” përfundon Kryeziu./lajmi.net/