Dyshimet për “vjedhje të votave” në Mitrovicën e jugut, Prokuroria thotë se po mbledhin informacionet

Mediat lokale në Mitrovicë kanë raportuar se në këtë komunë ka pasur keqpërdorim të votës. Në këtë komunë, konkretisht në Shipol dyshohet se ka pasur blerje të votave e madje edhe vjedhje të votës. Krejt kjo nisi pasi në natën e zgjedhjeve kur u transmetuan exit-pollet, pati diferencë të madhe në përqindje mes kandidatit të…

Lajme

14/10/2025 16:14

Mediat lokale në Mitrovicë kanë raportuar se në këtë komunë ka pasur keqpërdorim të votës.

Në këtë komunë, konkretisht në Shipol dyshohet se ka pasur blerje të votave e madje edhe vjedhje të votës.

Krejt kjo nisi pasi në natën e zgjedhjeve kur u transmetuan exit-pollet, pati diferencë të madhe në përqindje mes kandidatit të PDK-së, për kryetar, Arian Tahiri dhe Faton Pecit, kandidat nga radhët e GUXO,  por për dallim pas përfundimit të numërimit të votave doli të ketë balotazh në këtë komunë.

Teksa dje u hamendësua se a mund tu besohet exit-polleve, gazetari Shkumbin Kajtazi, ka konfimuar mbrëmë se exit-poll, ishin të sakta por u manipuluan votat duke bërë që Mitrovica të shkojë në balotazh.

Gazetari Shkumbin Kajtazi. thotë se tashmë kanë nisur hetimet e ku i përfshirë dyshohet të jetë një zyrtar i VV-së.

“Pikapat 01 dhe 05, janë kapur nga kamerat dhe do të zbardhet së shpejti skema. Hajnat te mos flejnë të qetë. Me emra kemi me ju zbulu”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.

Derisa lidhur me këtë tashmë për lajmi.net, është deklaruar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, i cili tha se ka nisur të grumbullojnë informacione lidhur me këto dyshime.

“Janë duke u grumbulluar informata lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion. Kaq mund të themi në këtë fazë”, ka deklaruar Preteni.

Bazuar në rezultatet e rundit të parë dallimi mes Tahirit dhe Pecit është veç 28 vota.

Prin kandidati i PDK-së me 47.49 për qind apo 15 mijë e 368 vota, kurse ai i LVV Guxo i ka marrë 47.80 për qind apo 15 mijë e 40 vota.

Tashmë pas këtij rasti kanë filluar edhe të shfaqen pamje të shumta nga fshati Shipol nga ku shihen persona të rëndësishëm të cilët ishin pjesë e tubimeve të VV-së, në këtë fshat. /Lajmi.net/