Voton Natyra Kuçi: Procesi deri tash ka shkuar me disa incidente të cilat i kemi raportuar

Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Deçanit, Natyra Kuçi e shoqëruar nga dy prindërit e saj ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, në Carrabreg. Pasi votoi ajo i evidentoi disa nga parregullsitë që tha se kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor. Ajo ftoi qytetarët që sa më shumë ta…

Lajme

12/10/2025 14:49

Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Deçanit, Natyra Kuçi e shoqëruar nga dy prindërit e saj ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, në Carrabreg.

Pasi votoi ajo i evidentoi disa nga parregullsitë që tha se kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor.

Ajo ftoi qytetarët që sa më shumë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Procesi mund të them se deri tash ka shkuar me disa incidente të cilat i kemi raportuar siç ishte ajo që zëvendësdrejtori i arsimit në secilën shkollë shkon nga 30-40 minuta bënë presion, Hajdar Sutaj që është kryesues i Kuvendit dhe bartës i listës ishte deri më herët në këtë shkollë duke bërë presion, e dimë që këta qe 23 vite janë mësuar në këtë mënyrë duke ushtruar presion duke frikësuar njerëz. Mirëpo unë besoj qe kësaj here njerëzit kanë me zgjedh përkundër frikës përkundër presioneve për te mirën dhe të ardhmen e qytetit të Deçanit…. është herë e parë që këtyre u rrezikohet pushteti..gjithë qytetarët e Deçanit me marr pjesë në votim sa më shumë sa më masivisht”, tha ajo.

Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demalija nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.

Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në ketë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.