Kosova pa votim të hershëm për policët, mjekët, ushtarët, zjarrfikësit, përfaqësuesit e mediave
Me mijëra policë, mjekë, ushtarë, gazetarë e profesionistë të tjerë që do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve më 12 tetor, mund të përballen me vështirësi në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar. Ushtrimi i të drejtës së votës mund të bëhet edhe më i vështirë sidomos në zgjedhjet lokale,…

Lajme
Me mijëra policë, mjekë, ushtarë, gazetarë e profesionistë të tjerë që do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve më 12 tetor, mund të përballen me vështirësi në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar.
Ushtrimi i të drejtës së votës mund të bëhet edhe më i vështirë sidomos në zgjedhjet lokale, pasi shumë prej tyre do të jenë në krye të detyrës jo në komunën e tyre ku janë të regjistruar për të votuar.
Madje, në zgjedhjet lokale as votimi me kusht nuk është ndonjë lehtësi e madhe, pasi ky lloj votimi mundësohet vetëm brenda të njëjtës komunë ku është i regjistruar votuesi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar për KosovaPress, se votimi i hershëm për këto kategori nuk është i paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk parashihet mundësia e organizimit të ndonjë votimi të hershëm për qytetarët me të drejtë vote, të cilët për shkak të punës së tyre specifike janë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve, siç janë: mjekët, policët, ushtarët, zjarrfikësit, përfaqësuesit e mediave, e profesione të ngjashme”, tha Elezi.
As votimi me kusht s’duket se është një mundësi që do t’i përgjigjej të gjitha kërkesave, sidomos në zgjedhje lokale, sepse ky lloj votimi është i mundur vetëm për votuesit brenda komunës ku janë të regjistruar.
“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvend, ku e gjithë Republika e Kosovës është një zonë e vetme zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë përbën një zonë të veçantë zgjedhore. Në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë. Pra, një votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i regjistruar dhe jo në ndonjë komunë tjetër. Për këtë arsye, edhe votimi me kusht nuk është i mundur nga një komunë në tjetrën”, sqaroi Elezi.
Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe të cilët duhet të regjistrohen paraprakisht.
Më tej, ai tregoi se KQZ organizon votimin përmes ekipeve mobile të personave me nevoja të veçanta, të cilët, në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotimin e tyre.