Punë nga Beogradi për serbët në Kosovë: Ndihmë apo manipulim zgjedhor?
Paralajmërimet e Serbisë se në ditët e ardhshme do të hapë konkurs për 400 vende të reja pune në institucionet shëndetësore në Kosovë, disa i shohin si “ndërhyrje në zgjedhje” ose “sigurim të votave për Listën Serbe”, e të tjerë si mundësi punësimi. Paralajmërimet e tilla u bënë në kohën kur në Kosovë po zhvillohet…

Lajme
Paralajmërimet e Serbisë se në ditët e ardhshme do të hapë konkurs për 400 vende të reja pune në institucionet shëndetësore në Kosovë, disa i shohin si “ndërhyrje në zgjedhje” ose “sigurim të votave për Listën Serbe”, e të tjerë si mundësi punësimi.
Paralajmërimet e tilla u bënë në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Nga Serbia, mbështetje gëzon vetëm Lista Serbe – njëherësh partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Mirjana Vasiq nga Graçanica shpreson të punësohet “për të siguruar kushte më të mira për jetesë dhe një të ardhme të sigurt për fëmijët e saj”.
Në prill të këtij viti, ajo dhe disa qytetarë të tjerë protestuan për më shumë se 20 ditë para institucioneve shëndetësore në Graçanicë, duke kërkuar ndalimin e “punësimeve jotransparente dhe partiake të njerëzve të përshtatshëm”.
Konkurs i ngjashëm, atëkohë, ishte shpallur para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, por më pas ishte anuluar në disa institucione shëndetësore.
Vasiq thotë për Radion Evropa e Lirë se punën si teknike e farmacisë e kërkon prej 20 vjetësh.
“Pas kaq shumë vitesh, shpresoj sinqerisht që shteti ynë, Serbia, të ketë mirëkuptim për një nënë të katër fëmijëve, që jeton me familjen në Kosovë dhe nuk ka ndërmend të largohet”, thotë ajo.
Edhe Suzana Bozhiq nga Graçanica shpreson të punësohet në sektorin e shëndetësisë, pasi, tash e 18 vjet, pret për një vend pune si infermiere dentare.
Përndryshe thotë se do të mendojë të largohet, nëse nuk punësohet kur të shpallet konkursi.
“Presidenti [i Serbisë] paralajmëroi së voni për hapjen e 400 vendeve të reja pune në sistemin shëndetësor në Kosovë. Unë besoj sinqerisht se do të gjendet një vend edhe për mua, që të punoj në profesionin tim”, thotë Bozhiq për Radion Evropa e Lirë.
Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore funksionojnë brenda sistemit të Serbisë dhe financohen nga buxheti i saj.
Akuza ndaj Serbisë
Disa parti politike serbe në Kosovë e përshkruan hapjen e paralajmëruar të vendeve të reja të punës në sistemin shëndetësor si “blerje votash”.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke ofruar vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti – Qeveria e të cilit ndau të martën ndihmë prej 100 eurosh për studentët, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik – i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.
Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkroi në rrjetin social X se Beogradi nuk po ndërhyn në zgjedhje, sepse “Kosova është Serbi”.
Çfarë saktësisht premtoi Serbia?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më 5 tetor hapjen e konkursit për 400 vende të reja pune në fushën e shëndetësisë në Kosovë.
“Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe Metohinë dhe ne do ta bëjmë këtë në dhjetë ditët e ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë… dhe ne gjithmonë do të kujdesemi për ta”, tha Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.
Më pas, më 6 tetor, ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, deklaroi se hapja e 400 vendeve të reja të punës është “një lajm që tregon përkushtimin e Serbisë për mbështetjen e popullit tonë dhe të sistemit shëndetësor në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë”.
Më 7 tetor, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i bëri thirrje komunitetit serb në Kosovë, si dhe personave të shpërngulur që kanë dokumente të Kosovës, të votojnë për Listën Serbe.
Ai tha se fitorja e Listës Serbe do të thotë vazhdim i projekteve infrastrukturore dhe ndihmës financiare nga Serbia, duke shtuar se Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe të shtetit serb.
Më herët, nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u njoftua gjithashtu se “nga vjeshta, edhe 5.000 serbë në Kosovë do të marrin çdo muaj nga 20.000 dinarë (rreth 180 euro), si ndihmë nga shteti i Serbisë”.
Gogiq: Serbët janë të interesuar për atë që Serbia u ofron
Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se vendet e reja të punës ose ndihma financiare nga Serbia gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, nuk janë diçka e re dhe përbëjnë “armën kryesore” të Listës Serbe.
“Problemi këtu është se votuesit ndikohen, dhe kjo nuk është një lojë e barabartë krahasuar me subjektet e tjera politike”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, serbët në Kosovë nuk janë të interesuar për institucionet kosovare ose punën në to, por i shohin ato “vetëm si mënyrë që të mos u krijojnë probleme në jetën e përditshme”.
“Serbët në Kosovë janë të interesuar se çfarë do t’u ofrojë Serbia në aspektin e vendeve të punës dhe të ndihmës sociale. Ky është faktor kyç që përcakton disponimin e tyre zgjedhor. Kështu, Lista Serbe paraqitet si zëri dhe fytyra e Beogradit, sikurse flet në emër të shtetit të Serbisë”, thotë Gogiq.
Ai shton se përfshirja e institucioneve serbe gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, sjell rreziqe për vetë ato, duke kujtuar se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Qendra serbe për Punë Sociale në veri të Kosovës është mbyllur, me arsyetimin se ka ndikuar në vullnetin e votuesve.
Cakolli: Aktivitetet e Serbisë nuk janë vetëm marketing politik
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se “aktivitetet e paligjshme të institucioneve serbe në Kosovë, kanë implikime të qarta politike gjatë fushatës zgjedhore”.
Sipas tij, koha dhe mesazhi që dërgohet ngrenë dyshime se kjo është një përpjekje për “ndikim të koordinuar mbi votuesit”.
Megjithatë, ai shton se as institucionet e Kosovës nuk janë “imune” ndaj keqpërdorimit të burimeve gjatë fushatës zgjedhore, dhe se kjo nuk është diçka e re në asnjë vend të rajonit – sidomos në vendet ku “ekzistenca e qytetarëve varet nga ndihmat e institucioneve publike”.
Në fakt, janë disa subjekte politike serbe që e kanë akuzuar Nenad Rashiqin, kreun e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, për abuzim me pozicionin e tij si ministër i Komuniteteve dhe Kthimit në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Gjatë fushatës zgjedhore, Rashiq dorëzoi çelësat e shtëpive të ndërtuara nga Ministria që ai drejton, ose filloi ndërtimin e njësive të reja të banimit.
Cakolli thekson se votuesit i perceptojnë veprimet e tilla si një “sinjal besnikërie politike” ose si obligim për ta “kthyer nderin”.
“Në praktikë, premtime të tilla shpesh shërbejnë për të njëjtin qëllim, si blerja e votave. Ato e formësojnë sjelljen e votuesve përmes varësisë, jo bindjes”, thotë ai.
Fushatë e re, akuza të njëjta
Konkurset për vende pune në kujdesin shëndetësor dhe ndihmë financiare për të papunët nga buxheti serb, si dhe pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga Qeveria e Kosovës, në këmbim të “votave të sigurta” ishin disa nga akuzat që përshkuan fushatën zgjedhore midis komunitetit serb edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Edhe atëherë, disa nga akuzat i referoheshin Listës Serbe, e të tjerat Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Rashiqit.
Kodi Penal i Kosovës parashikon një dënim prej një deri në pesë vjet burg për çdo person që kërkon ose merr ndonjë avantazh të padrejtë, me qëllim që të votojë për një person të caktuar. REL