Kurti-Berishës dy vite më parë: Kam një kërkesë prej juve- mos e tako Fatmir Shehollin, bashkëpunëtorin e Serbisë
Policia e Kosovës ka arrestuar sot analistin Fatmir Sheholli nën dyshimin për “spiunazh”. Në lidhje me këtë u deklarua edhe Prokuroria Speciale, ku ndër të tjerash u tha se janë duke vazhduar bastisjen. “Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke…

Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar sot analistin Fatmir Sheholli nën dyshimin për “spiunazh”.
Në lidhje me këtë u deklarua edhe Prokuroria Speciale, ku ndër të tjerash u tha se janë duke vazhduar bastisjen.
“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale. Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Në lidhje me arrestimin e tij ka njoftuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Sveçla.
E disa vite më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i pati kërkuar deputetit të PDK-së, që të mos e takojë Fatmir Shehollin.
Në një seancë në Kuvend, Kurti i thoshte se me këtë do t’i bënte nder shtetit të Kosovës.
“Unë nuk e kuptoj deputeti Hysen Berisha qysh në orën tetë të diskutimit ju vini me fjalim të shkruar prej fillimit, kjo do të thotë që nuk është diskutim dhe gjitha këto akuza që m’i bëtë mua unë mund t’iu përgjigjem vëtëm një gjë, ju mund ta ndihmoni shtetin e Kosovës dhe unë kam një kërkesë prej juve: Mos e tako Fatmir Shehollin, vec mos rri me Fatmir Shehollin bashkëpunëtorin e Serbisë, por te na s’ka Prokurori, vetëm dil këtu në foltore dhe thuj nuk takohem më me Fatmir Shehollin, kontribut ma të madh për Kosovën nuk mund të jepni”, iu shpreh Kurti../Lajmi.net/