Hamiti: Kosova, 833 ditë nën sanksione të BE-së

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti. Ai ka bërë me dije se për shkak të veprimeve të kësaj qeveria sot Kosova ka bërë 833 ditë që është nën sanksione të BE-së. Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Kosova është duke i vuajtur pasojat e…

Lajme

08/10/2025 13:53

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti.

Ai ka bërë me dije se për shkak të veprimeve të kësaj qeveria sot Kosova ka bërë 833 ditë që është nën sanksione të BE-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Kosova është duke i vuajtur pasojat e kësaj qeverie.

“Për shkak të politikave të Qeverisë së Vetëvendosjes (VV), BE-ja i vendosi Kosovës “masa të përkohshme dhe të kthyeshme”, eufemizëm për sanksione ekonomike, më 28 qershor 2023. Janë bërë dy vjet, tre muaj dhe 10 ditë prej kohës kur na u vendosën sanksionet e ashpra. Domethanë 833 ditë deri sot. Kosovës i janë pezulluar mbi 600 milionë euro për projekte jetike për qytetarët. Mbasi po i mbajnë kundërligjshëm pozitat si deputetë dhe ministra në të njëjtën kohë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, BE-ja nuk i takon Albin Kurtin dhe kolegët e tij deputetë të VV-së në zyrat e Qeverisë së Kosovës prej gushtit të sivjemë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Kosova është nën regjim sanksionesh të BE-së, tash efektivisht edhe të SHBA-ve, në kohën e kur udhëheqës të vendit janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Këta të dy u nderuan dje, më 7 tetor 2025, me Çmimin Alumni i Nderit nga Universiteti i Prishtinës. U tha sa janë frymëzim për brezat e ardhshëm! Çudi!”, ka shkruar ai.