Apeli ndryshon vendimin e Themelores në rastin e të dënuarve për kultivimin e 2059 bimëve narkotike dhe 32 kg marihuanë
Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin penal ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin e mbi 2059 bimëve narkotike dhe 32 kilogramëve marihuanë. Shkalla e dytë ndryshoi vendimin e Themelores sa i përket disa pikave: ricilësoi veprimet e të akuzuarve në veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres…

Lajme
Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin penal ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin e mbi 2059 bimëve narkotike dhe 32 kilogramëve marihuanë. Shkalla e dytë ndryshoi vendimin e Themelores sa i përket disa pikave: ricilësoi veprimet e të akuzuarve në veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndryshoi afatin e pagesës së gjobës, si dhe llogaritjen e qëndrimit të dy prej të akuzuarve në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim më 14 mars 2025 i kishte dënuar me gjithsej 29 vite e 6 muaj burgim dhe 53 mijë euro gjobë, shtatë të akuzuarit: Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë ndryshohet përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale, pasi kjo Gjykatë veprimet e shtatë të akuzuarve i ricilëson në veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, par.1, lidhur me nenin 275, par.1, nënpar.1.1 dhe 1.9 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Po ashtu, vendimi i Themelores ndryshohet edhe lidhur me llogaritjen e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, ashtu që Fethi Uygurit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 21 marsit 2022 e deri në nxjerrjen e aktgjykimit më 15 gusht 2025, kurse për Vocin llogaritet paraburgimi prej 16 shkurtit 2022 e deri më 12 prill 2023, si dhe arresti shtëpiak prej 13 prill 2023 e deri më 14 mars 2025.
Lidhur me pagesat e dënimeve me gjobë, Apeli vendosi që Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, që dënimet me gjobë të shqiptuara si në akgjyimin e ankimuar t’i paguajnë brenda afatit prej një muaji nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi.
Pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pandryshuar.
Pretendimet e palëve në ankesa:
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka paraqitur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën e saj, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe ndaj të akuzuarve të shqiptojë dënim me burgim në kohë më të gjatë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fethi Uygur, avokati Fitim Shporta ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Apeli ta aprovojë ankesën e tij, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe lëndën ta kthejë në rivendosje ose të lirojë të akuzuarin në mungesë të provave. Po ashtu, ta lirojë nga paraburgimi, me arsyetimin se nuk qëndrojnë asnjë arsye ligjore për qëndrimin e tij të mëtejshëm në paraburgim
Mbrojtësja e të akuzuarit Alajdin Ramadani, avokatja Sarandë Beqiri ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve të Ligjit Penal, vendimit për sanksionin penal, dënimit plotësues, konfiskimin, shpenzimet e procedurës penale, kërkesave pasurore-juridike, si dhe për vendimin mbi publikimin e aktgjykimit. Propozoi që Apeli ta aprovojë ankesën, të ndryshojë aktgjykimin lidhur me lartësinë e dënimit, dhe që Ramadanit t’i shqiptojë dënim më të ulët- si në dënimin kryesor ashtu dhe atë plotësues.
Mbrojtësja e të akuzuarit Filip Mishevski, avokatja Fehmije Gashi-Bytyçi, ka parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi shqiptimin e dënimit, duke propozuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin lidhur me lartësinë e dënimit me burgim dhe me gjobë ashtu që të akuzuarit
t’i shqiptohen dënime më të ulëta.
Mbrojtësja e të akuzuarit Eroll Marku, avokatja Alberina Foniqi-Bojaj, parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën, të ndryshojë aktgjykimin dhe në mungesë të provave të sjellë aktgjykim lirues për të akuzuarin.
Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Maloku, avokati Besim Curri parashtroi ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal dhe shpenzimet e procedurës penale, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, duke i shqiptuar dënim me burgim për aq kohë sa ka qëndurar në paraburgim, të lirohet i akuzuari nga gjoba shqiptuar, dhe të lirohet nga shpenzimet e procedurës penale si dhe pagesën e viktimave.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ertan Daçiq, avokati Muhamet Hoxha parashtroi ankesë për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënim, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin duke shqiptuar dënim më të butë ose ta anulojë aktgjykimin dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Voci, avokati Leutrim Himaj parashtroi ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktikë dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të lirojë Vocin nga aktakuza ose të anulojë aktgjykimin dhe çështjen ta kthejë në rigjykim. Himaj paraqiti edhe përgjigje në ankesën e Prokurorisë, me propozim që ankesa të refuzohet si e pabazuar.
Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ashtu që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarve Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milaim Voci, për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtorë t’iu shqiptojë dënim me burgim më të lartë. Propozoi të refuzohen ankesat e mbrojtjes dhe përgjigja e avokatit Himaj ndaj ankesës së PSRK-së.
Gjetjet e Apelit:
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e ankimore të mbrojtjes së të akuzuarve Uygur, Ramadani dhe Voci, janë pjesërisht të bazuara. Kurse, ankesa e PSRK-së dhe mbrojtjes së të akuzuarve: Mishevski, Marku, Maloku, Daçiq, si dhe pjesa tjetër e ankesave të mbrojtësve të përmendur në pikën e parë, janë të pabazuara.
Apeli gjen se pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve Fethi Uygur, Eroll Marku dhe Milazim Voci, për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Gjykata e Apelit gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe përpilimin e dispozitivit. Aty thuhet se janë dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare në këtë çështje penale-juridike.
“Gjykata e shkallës së parë, ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor, lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, të ligjshme, i aprovon edhe kjo gjykatë”, thuhet në vendim.
Apeli vlerëson se shkalla e parë e ka bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 361, paragrafi 1 të KPP-së, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për vendin, kohën dhe mënyrën se si është kryer vepra penale nga të akuzuarit.
Ndërkaq, sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit konstaton që Themelorja gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, për faktin se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale për të cilën janë shpallur fajtor.
“Nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Daciç dhe Milaim Voci, në mënyrën e përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar, kanë kryer veprën penale duke vepruar në grup…”, thuhet në vendim.
Apeli vlerëson se të akuzuarit vepruan me me dashje direkte, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare, duke kultivuar bimë të hashashit me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
“Sipas Kolegjit, të dhënat dhe provat e listuara tregojnë padyshim se të akuzuarit Fethi Uygur, Erol Marku, Ertan Daciç dhe Milazim Voci kanë qenë personat vendimtarë në aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të narkotikëve. Video-incizimet dhe provat e tjera dëshmojnë qartë veprimtarinë e tyre, për të cilën në aktgjykim janë dhënë arsye të mjaftueshme, të cilat i pranon edhe Kolegji”, vlerëson Apeli.
Gjithnjë sipas Apelit, nga analiza e provave të administruara, rezulton se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt gjendjen faktike të çështjes penale.
Po ashtu, Apeli konstatoi se gjykata e shkallës së parë nuk ka aplikuar Ligjin Penal në mënyrë të drejtë kur ka shpallur fajtor të akuzuarit Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, par.1 lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve” nga neni 268, par.1, e lidhur me nenin 275, par.1, nënpar.1.1 dhe 1.9 të KPRK-së, pa bërë një vlerësim të drejtë të elementeve faktike dhe ligjore për secilin të akuzuar veç e veç.
“Duke u bazuar në këto fakte, Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Fethi Uygur, av. Fitim Shporta, Alajdin Ramadani, av. Sarandë Beqiri, dhe Milazim Voci, av. Leutrim Himaj, dhe sipas detyrës zyrtare ka ricilësuar veprën penale, duke konkluduar se veprimet e përshkruara në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar përbëjnë elementet e veprës penale nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 275 par.1 nën-par.1.1 dhe 1.9 të KPRK-së, e lidhur me nenin 77 për veprën penale në vazhdim, duke marrë parasysh që të gjitha veprimet e të akuzuarve përbëjnë një veprimtari të pandërprerë dhe të njëjtë në kohë dhe objekt për kultivimin e narkotikëve, në grup, si dhe sasinë e madhe të narkotikëve”, thuhet në vendimin e Apelit.
Kolegji i Apelit vlerëson se nuk mund të aplikohet neni 268, par.1 KPRK-së, për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve, pasi veprimet konkrete të të akuzuarve nuk përfshinin elemente të prodhimit apo përpunimit të substancave të tjera përveç kultivimit të bimëve narkotike. Andaj, për të njëjtat veprime nuk mund të bëhen dy cilësime juridike, ashtu që përdorimi i nenit të lartpërmendur nuk do të ishte i drejtë dhe i përshtatshëm.
Apeli gjeti se shkalla e parë në aktgjykimin e ankimuar ka bërë në mënyrë të gabuar llogaritjen e kohës së kaluar nën masën e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak për të akuzuarit Fethi Uygur dhe Milazim Voci.
Shkalla e dytë ka gjetur se përkitazi me caktimin e afatit për pagesën e dënimeve me gjobë, gjykata e shkallës së parë nuk ka aplikuar drejt nenin 43 par.2 të KPRK-së.
Kurse, duke shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënim, kolegji i Apelit vlerëson se pretendimet ankimore të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve të gjitha janë të pabazuara.
“Kolegji, pas shqyrtimit të pretendimeve, vlerëson se dënimi plotësues i dëbimit për tre (3) vite, i shqiptuar konform nenit 67 paragrafi 1 dhe 4 të KPRK-së, është i arsyeshëm dhe proporcional në raport me natyrën dhe intensitetin e veprës penale të kryer nga të akuzuarit, si dhe me aktivitetin kriminal të tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Afati i ndalimit të hyrjes shërben si masë preventive për të parandaluar përsëritjen e veprave penale dhe për të ruajtur rendin publik”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Prokuroria ngarkonte 7 të akuzuarit me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Gjykata Themelore në Prishtinë me 2 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues dhe i ka dënuar me gjithsej 28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë të akuzuarit Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci.
Por, Gjykata e Apelit pranoi si të bazuara ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve dhe rastin e ktheu në rigjykim.
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim më 14 mars 2025 i kishte dënuar me gjithsej 29 vite e 6 muaj burgim dhe 53 mijë euro gjobë, shtatë të akuzuarit për kultivimin e mbi 2059 bimëve narkotike dhe 32 kilogramë marihuanë.
Fethi Uygur, Alajdin Ramadani dhe Milazim Voci u dënuan secili me 5 vite burgim dhe nga 10 mijë euro gjobë, Filip Mishevski u dënua me 4 vite burgim dhe 8000 euro gjobë, ndërsa Eroll Marku, Alban Maloku dhe Ertan Daçiq u dënuan secili me nga 3 vite e 6 muaj burgim dhe nga 5000 euro gjobë. Po ashtu, për të akuzuarit Ramadani, Mishevski, Marku dhe Daçiq, gjykata urdhëroi dëbimin nga Kosova për tre vjet pas vuajtjes së dënimit.
Ndryshe, aktakuza e Prokuroria Speciale i ngarkon të Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, Komuna Suharekë.
Prokuroria ngarkon 7 të akuzuarit me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.