Banka Botërore shuan entuziazmin e Kurtit dhe Muratit: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në tre mujorin e parë të vitit

Pavarësisht propagandës së vazhdueshme të Qeverisë Kurti për “zhvillim të qëndrueshëm” dhe “forcim të ekonomisë”, Raporti i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin ofron një pamje shumë më reale – dhe shqetësuese – për ekonominë e Kosovës në vitin 2025. Sipas raportit, ekonomia e Kosovës është ngadalësuar dukshëm, duke rënë nga 4.4% rritje në vitin…

Lajme

07/10/2025 15:27

Pavarësisht propagandës së vazhdueshme të Qeverisë Kurti për “zhvillim të qëndrueshëm” dhe “forcim të ekonomisë”, Raporti i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin ofron një pamje shumë më reale – dhe shqetësuese – për ekonominë e Kosovës në vitin 2025.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës është ngadalësuar dukshëm, duke rënë nga 4.4% rritje në vitin 2024 në vetëm 3.6% në tremujorin e parë të këtij viti. Shkaku kryesor: ulja e konsumit të familjeve dhe rënia e kërkesës së jashtme – faktorë që bien ndesh me deklaratat optimiste të qeverisë, transmeton lajmi.net.

“Presionet nga inflacioni janë rikthyer, të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ulur të ardhurat reale të disponueshme,” thuhet në raport, duke konfirmuar se qytetarët po ndjejnë pasojat e rritjes së çmimeve më shumë se kurrë.

Për më tepër, vonesat e zgjatura në formimin e qeverisë së re – pas zgjedhjeve të papërfunduara – paraqiten si rrezik i drejtpërdrejtë për investimet dhe reformat. Banka Botërore paralajmëron se kjo situatë mund të ngadalësojë zbatimin e reformave strukturore dhe të vonojë aksesin në financim nga BE-ja përmes Planit të Rritjes.

Edhe pse pagat reale u rritën në 2024 për shkak të ngritjes së pagës minimale, punësimi formal mbeti i dobët, me vetëm 1.4% rritje në gjysmën e parë të 2025 – një tjetër tregues që sfidon narrativën e qeverisë për “sukses në tregun e punës”.

Dërgesat nga diaspora – që shpesh përdoren nga qeveria si shembull i “besimit” ndaj Kosovës – kanë dhënë vetëm mbështetje të kufizuar, me një rritje minimale prej 3.5%. Edhe investimet e huaja direkte, të trumbetuara me entuziazëm nga pushteti, u rritën vetëm me 3.6%.

Ndërkohë, inflacioni ka prekur çdo familje:

“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, duke e çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3 për qind,” thekson raporti, duke shtuar se edhe inflacioni bazë është rritur ndjeshëm.

Në fund, raporti vë në pah edhe një tjetër çështje që qeveria e anashkalon: emigrimi i vazhdueshëm dhe papunësia strukturore, sidomos te gratë. Banka Botërore bën thirrje për rritje të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, si një mundësi për të zhbllokuar potencialin ekonomik të brendshëm – një reformë që deri tani ka mbetur në letra./lajmi.net/