Pse u ndaluan fluturimet mbi KEK-un? – KFOR tregon arsyen!
Pas raportimeve të ditëve të fundit mbi ndalimin e fluturimeve mbi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), KFOR ka dhënë një përgjigje zyrtare për Lajmi.net, duke konfirmuar se masa është marrë për arsye sigurie, pas shpërthimit që ndodhi në nëntor të vitit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc – një infrastrukturë kyçe për sistemin energjetik të vendit. KFOR…

Lajme
Pas raportimeve të ditëve të fundit mbi ndalimin e fluturimeve mbi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), KFOR ka dhënë një përgjigje zyrtare për Lajmi.net, duke konfirmuar se masa është marrë për arsye sigurie, pas shpërthimit që ndodhi në nëntor të vitit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc – një infrastrukturë kyçe për sistemin energjetik të vendit.
KFOR thekson se ka kompetenca të plota mbi hapësirën ajrore të Kosovës dhe se vendimi për ndalimin e fluturimeve është pjesë e masave për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Në përgjigjen për Lajmi.net, KFOR deklaron:
“Komanda e KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake.
Pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, KFOR-i mori masa vendimtare për të ndihmuar në sigurimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, në koordinim të ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë.
Ndër këto masa, KFOR-i kufizoi fluturimet mbi Korporatën Energjetike të Kosovës. Kufizimet e fluturimit zbatohen për të gjithë trafikun e përgjithshëm ajror në hapësirën ajrore të ulët, megjithatë ka përjashtime për raste emergjente.
Kufizimi i hapësirës ajrore ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2025 dhe aktualisht është në fuqi për një periudhë të pacaktuar.”
Kujtojmë se shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc vitin e kaluar shkaktoi shqetësim për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike të energjisë dhe sigurisë publike, pasi ky kanal është jetik për furnizimin me ujë të termocentraleve të KEK-ut dhe për funksionimin e një pjese të madhe të sistemit energjetik të Kosovës./lajmi.net/