Ramadani: Fuqia e Serbisë është krejtësisht e pamjaftueshme për të nisur luftëra të reja në Ballkan
Analisti Burim Ramadani ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si provokime të hapura ndaj Kosovës dhe NATO-s, me qëllim krijimin e jostabilitetit në rajon. Sipas Ramadanit, është e qartë se fuqia reale ushtarake dhe politike e Serbisë është e pamjaftueshme për të nisur konflikte të reja…

Lajme
Analisti Burim Ramadani ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si provokime të hapura ndaj Kosovës dhe NATO-s, me qëllim krijimin e jostabilitetit në rajon.
Sipas Ramadanit, është e qartë se fuqia reale ushtarake dhe politike e Serbisë është e pamjaftueshme për të nisur konflikte të reja në Ballkan, pavarësisht ambicieve të vazhdueshme hegjemoniste të përfshira në platformën “Bota Serbe”.
“Ballkani Perëndimor është nën ombrellën e sigurisë së NATO-s. Shumica e shteteve në rajon janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova mbrohet drejtpërdrejt nga Aleanca”, shkruan Ramadani.
Ai shton se lidershipi serb po përpiqet të mbajë gjallë ëndrrën për dominim rajonal, duke shpresuar në një ndryshim të raporteve gjeopolitike në të ardhmen, veçanërisht nëse Rusia del fituese në luftën në Ukrainë.
“Por kjo as nuk duket e mundshme dhe as nuk do të lejohet të ndodhë”, përfundon Ramadani./lajmi.net/