Kryebashkiaku i New York-it, Eric Adams, viziton Shqipërinë
Me vetëm disa javë të mbetura në detyrë, kryebashkiaku i New York-it, Eric Adams, ka vendosur të vizitojë një vend të ri në fund të mandatit të tij: Shqipërinë. Udhëtimi i tij, që nisi të dielën, ka zgjuar interes dhe kritika në SHBA, pasi shumë zyrtarë në New York prisnin që Adams të kalonte ditët…

Lajme
Me vetëm disa javë të mbetura në detyrë, kryebashkiaku i New York-it, Eric Adams, ka vendosur të vizitojë një vend të ri në fund të mandatit të tij: Shqipërinë.
Udhëtimi i tij, që nisi të dielën, ka zgjuar interes dhe kritika në SHBA, pasi shumë zyrtarë në New York prisnin që Adams të kalonte ditët e fundit të mandatit duke u fokusuar në çështje të brendshme të qytetit.
Sipas zëdhënëses së tij, Kayla Mamelak Altus, Adams ndodhet në Shqipëri për bisedime mbi bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin, si dhe për takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit të tij. Ai do të qëndrojë në vend deri të enjten.
Vizita e tij, e raportuar fillimisht nga rrjeti WNBC, u konfirmua publikisht vetëm të hënën, pasi Adams kishte lënë tashmë New York-it.
Zëdhënësja e tij sqaroi se shpenzimet e hotelit dhe transportit tokësor do të mbulohen nga qeveria shqiptare, ndërsa udhëtimi ajror dhe shpenzimet e sigurisë do të paguhen nga qyteti i Nju-Jorkut, transmeton a2cnn.
Sipas saj, hoteli kushton rreth 200 dollarë në ditë, ndërsa transporti 90 dollarë në ditë. Adams udhëton i shoqëruar nga ndihmësja e tij prej shumë vitesh, Gladys Miranda.
Edhe pse marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Shqipërisë janë modeste, vetëm rreth 50 milionë dollarë importe dhe 82 milionë dollarë eksporte në shtatë muajt e parë të këtij viti, lidhjet e Adams me vendin tonë janë më të thella se zakonisht për një kryebashkiak amerikan.
I biri i tij, Jordan Coleman, mori pjesë në një version shqiptar të “American Idol” në vitin 2022, gjatë vitit të parë të mandatit të Adams si kryebashkiak. Në këtë periudhë, Adams ka organizuar tre ceremoni ngritjeje flamuri për Shqipërinë në Nju-Jork dhe ka mbajtur disa aktivitete për promovimin e kulturës shqiptare, përfshirë një pritje në Gracie Mansion, rezidenca zyrtare e tij.
Në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai i tha një gazetareje shqiptare, Alketa Vejsiu, se ëndërronte të vizitonte Shqipërinë, duke shtuar me entuziazëm: “Kam arritur shumë gjëra, por një gjë më mungon, dhe jam xheloz për djalin tim, ai ka qenë në Shqipëri, unë ende jo”.
Vendimi për të udhëtuar jashtë vendit në fund të mandatit të tij ka nxitur polemika në Nju-Jork. Ish-presidentja e Bashkisë së Manhatanit, Gale Brewer, u shpreh: “Kur dëgjova se po shkonte në Shqipëri, mendova se ishte shaka. Ai ka edhe disa muaj në detyrë, dhe do të prisja që t’i përkushtohej trashëgimisë së tij, arsimit, strehimit, e çdo gjëje tjetër që ka nisur”.
Udhëtimi i Adams ka ngjallur vëmendje edhe për shkak të lidhjes së kryeministrit Edi Rama me një çështje të njohur në SHBA: procesin e ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles F. McGonigal. Në aktakuzën federale të vitit 2023, Rama përmendej mbi 13 herë, edhe pse pa asnjë akuzë ndaj tij. McGonigal u dënua me 6 vite e gjysmë burg për korrupsion, pasi kishte marrë 225 mijë dollarë nga një ish-oficer sigurimi shqiptar dhe kishte ndikuar në një hetim të FBI-së që favorizonte qeverinë shqiptare.
Adams, nga ana tjetër, është përfshirë vetë në hetime të ndjeshme në të kaluarën. Ai është akuzuar për korrupsion gjatë mandatit të tij, por akuzat u rrëzuan më pas nga Departamenti i Drejtësisë nën administratën Trump, një vendim që mediat amerikane e kanë cilësuar “të pazakontë”.
Pavarësisht polemikave, kryebashkiaku i Nju-Jorkut duket i vendosur ta shfrytëzojë këtë vizitë si një mundësi për të forcuar lidhjet mes New York-it dhe Shqipërisë, përpara se të lërë zyrën në fund të këtij viti.