“Duart në timon, jo në telefon”, Policia paralajmëron gjoba pas 12 tetorit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që shkakton përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit. Fushata është iniciuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han…

Lajme
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që shkakton përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit.
Fushata është iniciuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.
“Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, është mesazhi qendror i fushatës, i konceptuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj.
Gjatë javës së parë, fushata do të ketë karakter parandalues dhe edukativ. Në këtë kuadër, do të shpërndahen fletëpalosje informuese, do të vendosen postera në rrugë e sheshe publike dhe do të mbahen ligjërata vetëdijësuese në shkollat e rajonit të Ferizajt.
Masat ndëshkuese nisin më 13 tetor
Policia ka njoftuar se nga data 13 tetor 2025, do të kalojë në fazën ndëshkuese, ku të gjithë shoferët që përdorin telefonin gjatë ngasjes dhe shkelin ligjin e trafikut, do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.
Kjo fushatë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të parandaluar aksidentet dhe për të përmirësuar sigurinë në trafik, veçanërisht mes të rinjve dhe shoferëve të rinj.