Murati i reagon Ramës për buxhetin, e quan dështak ndërsa e pyet edhe për autobusët që mori kredi për ti blerë: Mos ndoshta BERZH i ka blloku?

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Ramës në lidhje me buxhetin për t’i realizuar disa projekte në Prishtinë, për çka Rama thotë se paratë janë bllokuar nga Qeveria. Në lidhje me këtë, Murati ka thënë se komunat kanë autonomi financiare të garantuar me ligj dhe se…

Lajme

05/10/2025 22:19

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Ramës në lidhje me buxhetin për t’i realizuar disa projekte në Prishtinë, për çka Rama thotë se paratë janë bllokuar nga Qeveria.

Në lidhje me këtë, Murati ka thënë se komunat kanë autonomi financiare të garantuar me ligj dhe se ato nuk mund t’i bllokoj dikush nëse i “teket”, shkruan lajmi.net.

“Komuna e Prishtinës ka dështuar ta kalojë buxhetin në asamble sipas afatit ligjor – sepse Përparimi e Urani u idhnun dhe vendosën me i lanë në lloç votuesit – prandaj komuna s’mund ta shfrytëzojë të plotë buxhetin në vitin 2025. Këtë e përcakton ligji, askush tjetër. Por për vitet 2022, 2023, dhe 2024, buxhetin e ka pasur të miratuar, dhe megjithatë Përparimit i kanë tepru mbi 50 milionë euro në vit të pashpenzuara. Si gjithnjë, përsëri qenka mundu që dështimet e veta me i faturu si bllokadë, por nuk i shitet kjo tek qytetari, ka shkruar Murati në një postimi në Facebook.

Ai nuk e ka lënë me kaq, pasi që në një postim tjetër, ka pyetur për autobusët e trafikut urban që Rama kishte nënshkruar kredi para 3 vitesh.

“Hala asnjë autobus se ka pru. Mos ndoshta BERZH-i e paska blloku? Normalisht që as këtu se ka blloku kërkush tjetër përveç mos-puna dhe keqmenaxhimi i vetë Përparimit. Ktu bile s’ka pasë as me maru autobusa, veç me i ble. Por kur je dështak, secila punë të duket e paarritshme”, ka shkruar Murati në Facebook. /Lajmi.net/