Hoxhaj: Beogradi satelit i Rusisë në Ballkan, Kosova të mbetet në boshtin euroatlantik

Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, ngjarje kjo, shkroi Enver Hoxhaj, që shënon fundin e një epoke të errët në historinë e Ballkanit, por jo edhe mbylljen e plagëve që ai regjim la pas. Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver…

Lajme

05/10/2025 12:27

Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, ngjarje kjo, shkroi Enver Hoxhaj, që shënon fundin e një epoke të errët në historinë e Ballkanit, por jo edhe mbylljen e plagëve që ai regjim la pas.

Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kujtuar se regjimi i Millosheviqit shkaktoi luftëra, gjenocid dhe shkatërrim në gjithë rajonin, ndërsa ka theksuar se Serbia, në vend që të përballet me të kaluarën, sot vazhdon ta glorifikojë atë.

“Sot Serbia udhëhiqet nga figura që ishin pjesë e atij regjimi,” ka shkruar ai, duke shtuar se Beogradi po përpiqet të luajë rolin e satelitit të Rusisë në Ballkan dhe të sfidojë rendin euroatlantik.

Sipas Hoxhajt, përgjigjja e Kosovës ndaj këtyre përpjekjeve duhet të jetë forcimi i shtetit, sigurisë dhe institucioneve demokratike. Ai ka theksuar se partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët evropianë mbetet garancia e vetme për paqe, qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në rendin e ri ndërkombëtar.

“Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, regjim që shkaktoi luftëra, gjenocid dhe shkatërrim në gjithë Ballkanin. Fundi i tij hapi një kapitull të ri për rajonin, por plagët që la pas ende nuk janë shëruar. Në vend që të përballej me të kaluarën, Serbia ka zgjedhur ta glorifikojë atë, duke u udhëhequr edhe sot nga figura që ishin pjesë e regjimit të atëhershëm. Sot, në një kohë kur Serbia po përpiqet të luajë rolin e satelitit të Rusisë në Ballkan dhe të sfidojë rendin euroatlantik, Kosova duhet të mbetet e palëkundur në boshtin e saj perëndimor. Ndërsa Beogradi përpiqet të rikthejë ndikimin e vjetër përmes destabilizimit dhe propagandës, përgjigjja jonë duhet të jetë forcimi i shtetit, sigurisë dhe institucioneve demokratike. Partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët evropianë është garancia e vetme për paqe, qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në rendin e ri ndërkombëtar”, ka shkruar Hoxhaj.