OJQ-ja që i propozoi 259 vëzhgues për zgjedhje u themelua para 10 ditëve

Dyshime për mundësi manipulimesh me vëzhgues për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, janë ngritur nga anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, përpos përfaqësitë diplomatike, Avokati i Popullit, mediat e organizatat prestigjioze ndërkombëtare, vëzhgues do të dërgojnë edhe organizatat jo-qeveritare vendore. Por, një kërkesë e pazakontë nga një organizatë e re vendore, e panjohur deri…

Lajme

02/10/2025 18:59

Dyshime për mundësi manipulimesh me vëzhgues për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, janë ngritur nga anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kështu, përpos përfaqësitë diplomatike, Avokati i Popullit, mediat e organizatat prestigjioze ndërkombëtare, vëzhgues do të dërgojnë edhe organizatat jo-qeveritare vendore.

Por, një kërkesë e pazakontë nga një organizatë e re vendore, e panjohur deri tash, ka ngritur shqetësime tek anëtarët e KQZ-së.

“Shoqata Fuqia e Zërit” ka kërkuar që t’i akreditohen 259 vëzhgues, numër rekord, meqenëse shumica e organizatave mesatarisht kanë rreth 30 vëzhgues të akredituar.

Përkundër se Sekretariati i KQZ-së tha se organizatat i kanë plotësuar kriteret e kërkuara, Fuqia e Zërit është njëra ndër 7 organizatat jo-qeveritare të cilat nuk u akredituan sepse u kërkua informacion shtesë për to.

Kjo organizatë jo-qeveritare është hap vetëm para disa ditëve. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kjo OJQ është regjistruar më 23 shtator 2025, saktësisht para 10 ditëve.

Drejtoreshë Ekzekutive në këtë organizatë figuron Londrinë Emini, sipas regjistrit të MPB-së.

Emini është bashkëthemeluese edhe me dy zonja të tjera, Arbërie Pllanën dhe Arbërore Azemin.

Kjo OJQ fushëveprimtarinë thuhet se e ka në barazi gjinore, avokim dhe lobim, pjesëmarrje qytetare, të drejta të njeriut dhe mbrojtje të ambientit.

Gjatë gjithë ditës TV Dukagjini ka tentuar të komunikojë me këtë OJQ, përmes numrit me të cilin janë regjistruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por pa sukses.

Pas pamundësisë për të komunikuar përmes telefonit, ne ishim edhe fizikisht në adresën ku kjo OJQ thotë se e ka selinë e saj.

As ky tentim për të rënë në komunikim me udhëheqësit e kësaj organizate nuk solli rezultat.

Soliteri nr3, lagja Ulpiana, hyrja numër 22, ne ishim në katin e pestë në hyrje të banesës e cila figuron në emrin e një personi me inicialen Xh.Azemi. Në këtë hyrje të banesës, ne trokitëm për disa minuta por askush nuk e hapi derën. Në hyrje nuk ishte ndonjë njoftim që ajo banesë ose zyrë është në shërbim të organizatës jo-qeveritare, Fuqia e Zërit.

Pos Shoqatës Fuqia e Zërit, KQZ-ja dje nuk akreditoi edhe disa OJQ tjera për të cilat u kërkuan më shumë informacione nga Sekretariati i këtij institucioni.