Gjoba për fjalimin e Ramës në Kuvendin Komunal në Prishtinë, refuzohet ankesa e LDK-së në Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas dënimit me 5100 euro për shkak të fjalimit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, njëherësh kryetarit aktual, Përparim Rama, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të kryeqytetit…

Lajme

02/10/2025 17:52

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas dënimit me 5100 euro për shkak të fjalimit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, njëherësh kryetarit aktual, Përparim Rama, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të kryeqytetit më 24 shtator.

Sipas Supremes, PZAP e ka gjobitur me të drejtë LDK-në pasi Përparim Rama ka shfrytëzuar pozitën publike me qëllim të përfitimit të votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Duke shfrytëzuar pozitën publike dhe me qëllim të përfitimit të votave, ashtu që në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Kuvendit, rreth pikës së rendit të ditës Miratimi i Projektbuxhetit për vitin 2026, ndër të tjera ka deklaruar: ‘Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që më 12 tetor 2025 t’ua tregojnë vendin secilit asamblist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokojë këtë proces demokratik të zhvillimit dhe transformimit të kryeqytetit me votën e tyre…’Bazuar në këtë, i njëjti ka shkelur dispozitën e nenit 36, paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës – Ligji Nr.08/L-228 –, në të cilin në mënyrë të qartë thuhet se: ‘Personi i cili mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë apo ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e ndonjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, apo ndonjë ndërmarrje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, transmeton kosovapress.

PZAP e kishte marrë këtë vendim pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.