Kushtetuesja s’ka afat për publikimin e plotë të aktgjykimit, deputetët vazhdojnë ‘pushimin’

Kuvendi nuk është konstituuar pasi që ende s’është zgjedhur nënkryetari nga radhët e deputetëve serbë; Deputetët duhet të votojnë; dhe, këta të fundit kanë kohë edhe 12 ditë ta konstituojnë parlamentin. Këto ishin vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ngërçit të krijuar në parlament tash e sa muaj. Të njëjtat vendim erdhën si rezultat i aktgjykimit…

Lajme

02/10/2025 17:02

Kuvendi nuk është konstituuar pasi që ende s’është zgjedhur nënkryetari nga radhët e deputetëve serbë; Deputetët duhet të votojnë; dhe, këta të fundit kanë kohë edhe 12 ditë ta konstituojnë parlamentin. Këto ishin vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ngërçit të krijuar në parlament tash e sa muaj.

Të njëjtat vendim erdhën si rezultat i aktgjykimit të tretë kësaj nga kjo gjykatë lidhur pikërisht me bllokadën institucionale, aktgjykim i cili ende s’është publikuar i plotë në Gazetën Zyrtare, shkruan express.

Përveç urdhrit ndaj deputetëve që të votojnë, dy pikat e tjera ishin ato që u vlerësuan me të rëndësishme.

E para ishte deklarimi se parlamenti pa zgjedhjen e të pesë nënkryetarëve nuk njihet si i konstituuar. Kësisoj, ky vendim i Kushtetueses hodhi poshtë deklarimet që erdhën nga pushteti për ditë e javë të tëra. Kjo pasi që, Vetëvendosja e shpalli këtë proces të përfunduar. Edhe pse një gjë e tillë u hodh poshtë nga njohës të fushës edhe para vendimit të Kushtetueses.

Pika e dytë ishte afatizimi që iu bë deputetëve për ta përfunduar procesin e konstituimit të Kuvendit. Siç u cek më lartë, gjykata tha se deputetët kanë kohë edhe 12 ditë pas shpalljes së plotë të aktgjykimit.

Për këtë çështje, skena politike është ende në pritje. Përveç se akoma nuk është bërë publikimi i plotë i vendimit, nuk dihet as koha se kur mund të bëhet një gjë e tillë.

Lidhur me këtë, janë deklaruar edhe njohës të kësaj fushe.

Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, janë disa nga ta që kanë dhënë komentet e tyre.

Të dy ata kanë deklaruar se nuk ka afat specifik brenda të cilit mund të bëhet publik vendimi.

“Për sa i përket periudhës kohore në mes të njoftimit deri tek aktgjykimi nuk ka një afat specifik, se brenda sa ditësh duhet të publikohet’’, ka thënë Shala.

Njëjtë ka vlerësuar edhe se Bugaqku. Ky i fundit për REL ka deklaruar se Rregullorja e Punës së Kushtetueses nuk përcakton ndonjë afat apo limit kohor.

‘‘Duke marrë parasysh praktikën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse Rregullorja e Punës së Gjykatës Kushtetuese nuk përcakton ndonjë afat apo limit kohor se kur dhe brenda cilës periudhë duhet të publikohet njoftimi në Gazetën Zyrtare, praktika e deritanishme e jurisprudencës së Gjykatës ka pasur raste kur, brenda pesë ose deri në shtatë ditë, i ka marrë kohë Gjykatës që të publikojë aktgjykimin e plotë në Gazetën Zyrtare dhe në faqen e saj zyrtare’’, ka thënë ai.

Ndryshe, aktgjykimi i dytë i Kushtetueses i cili u dha si njoftim me 8 gusht, si i plotë u publikua pas 10 ditësh, më saktë me 18 gusht. Ndërsa deputetët të cilët ende janë nën masën kufizuese të gjykatës, seancën e fundit e kanë mbajtur me 30 gusht.