Aksidenti mes pesë automjeteve afër Komoranit, përfshihet edhe autoambulanca e Spitalit të Përgjithshëm – Lëndohen mjeku, infermierja dhe shoferi
Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në rrugën Pejë-Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ku janë përfshirë pesë automjete. Në këtë aksident është përfshirë edhe autoambulanca e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, ku si pasojë janë lënduar mjeku i cili ka pësuar frakturë në dorë dhe po trajtohet në QKUK, infermieria dhe shoferi…

Lajme
Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në rrugën Pejë-Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ku janë përfshirë pesë automjete.
Në këtë aksident është përfshirë edhe autoambulanca e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, ku si pasojë janë lënduar mjeku i cili ka pësuar frakturë në dorë dhe po trajtohet në QKUK, infermieria dhe shoferi kanë marrë lëndime të lehta ndërsa pacienti nuk ka pësuar lëndime.
“Pacienti është transferuar me sukses për në QKUK pas intervenimit të shpejtë nga një ekip tjetër me një autoambulancë tjetër të Spitalit tonë. Spitali i Përgjithshëm në Pejë u uron shërim të shpejtë Mjekut tonë dhe gjithë të lënduarve në këtë aksident dhe shpreh mirënjohje për përkushtimin e personelit tonë shëndetësor, të cilët edhe në situata të tilla vazhdojnë të shërbejnë pacientëve me përgjegjësi dhe profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Në lidhje me këtë aksident ka dhënë detaje edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se njësitet kompetente policore për menaxhimin e trafikut ne autostradë po merren me procedurat e nevojshme të vendit të ngjarjes dhe identifikimin e shkaktarëve të këtij aksidenti.
Ai ka thënë se sot ka pas raportime edhe për aksidente të tjera, ku njësitet policore kane reaguar me kapacitetet ne dispozicion, ndërsa ka bërë apel tek shoferët për kujdes.
“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti tek shoferët e automjeteve që të jenë vigjilent gjatë ngasjes, posaçërisht kujdes të shtuar të kenë gjatë periudhave kur kemi reshje atmosferike kur zvogëlohet dukshmëria dhe rrugët bëhen të rrëshqitshme. Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr veprime aktive ne menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve duke angazhuar njësitet relevante te saj ne funksion të zbatimit të ligjit dhe rregullave në trafikun rrugor”, ka thënë Hoxha. /Lajmi.net/