“A janë udhëheqësit e BE-së hipokritë?” – Osmani pyetet në Danimarkë pasi kritikon BE-në për qasjen ndaj Serbisë
Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media në Kopenhagë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian pati disa kritika e sugjerime për Bashkimin Europian dhe qasjen që ka ndaj Serbisë, e cila s’po i fsheh marrëdhëniet e mira me Rusinë. “Për Bashkimin Europian do të doja të thosha: historia na tregon se zbutja…

Lajme
Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media në Kopenhagë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian pati disa kritika e sugjerime për Bashkimin Europian dhe qasjen që ka ndaj Serbisë, e cila s’po i fsheh marrëdhëniet e mira me Rusinë.
“Për Bashkimin Europian do të doja të thosha: historia na tregon se zbutja e diktatorëve dhe autokratëve nuk çon kurrë në paqe të qëndrueshme. Përkundrazi, vetëm i inkurajon ata të përshkallëzojnë dhunën”, tha ajo derisa po fliste për luftën në Ukrainë, raporton Gazeta Express.
Osmani tha se thirrja e saj për BE-në është që të ketë kujdes se si i trajton satelitët e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe të mos i përkëdhelë ata.
Ajo kujtoi sulmin terrorist të Banjskës dhe tha se përkundër që BE ka kërkuar llogaridhënie, kjo gjë s’ka ndodhur.
“Sapo shënuam dy vjet nga agresioni aktiv i Serbisë në veri të vendit tim. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht llogaridhënie, por nuk ka pasur asnjë. Është koha që ata të kalojnë nga fjalët në vepra”.
Këtu Osmani u pyet nëse mendon që udhëheqësit e BE-së janë hipokritë.
“Jo. Nuk po them që janë hipokritë. Besoj se synimet e tyre janë të mira. Por historia duhet të merret si mësim. Dhe sidomos historia se si është trajtuar Putini na tregon se përkëdhelja e njerëzve si Putini nuk çoi kurrë në paqe të qëndrueshme. Vuçiqi është përpjekur ta kopjojë Putinin duke përdorur agresion dhe taktika destabilizimi kundër fqinjëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare ta kuptojnë që të shpërblejnë Serbinë që po qëndron me Rusinë nuk është rruga e duhur përpara. Vendet që janë 100% në linjë me BE-në duhet të shpërblehen – jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”.