Kryeziu paralajmëron krizë të re kushtetuese: Deputetët nuk mund të urdhërohen
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka reaguar pas njoftimit të 30 shtatorit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit. Kryeziu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vullneti i lirë i deputetëve nuk mund të urdhërohet. Kushtetuesja, sipas tij, ka marrë një drejtim të paqartë. “Gjykata Kushtetuese, me njoftimin e 30…

Lajme
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka reaguar pas njoftimit të 30 shtatorit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit.
Kryeziu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vullneti i lirë i deputetëve nuk mund të urdhërohet.
Kushtetuesja, sipas tij, ka marrë një drejtim të paqartë.
“Gjykata Kushtetuese, me njoftimin e 30 shtatorit, ka marrë një drejtim të paqartë. Në pikën 4, ajo i urdhëron deputetët që gjatë votimit për nënkryetarin nga komuniteti serb të veprojnë “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”. Kjo gjuhë duket pa hile, por në fakt nënkupton që votimi nuk është më një akt i lirë politik – është vetëm një formalitet. Si të thuash: kur të vijë kandidati në sallë, ngreje dorën dhe mbylle punën. Por ky nuk është votim, është imponim. Dhe është përmbysje e mandatit të lirë të deputetit”.
Ai konsideron se asnjë institucion, as Gjykata, nuk ka mekanizëm për ta detyruar një deputet të votojë në një mënyrë të caktuar, raporton Paparaci.
“Të thuash të kundërtën është të minosh vetë themelet e demokracisë. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për mungesën e 61 votave i vishet deputetëve shqiptarë, jo kandidatit dhe jo procesit politik”.
Ai e quan këtë aktivizëm gjyqësor të pastër, “kur Gjykata kalon kufijtë e saj dhe hyn në politikë. Ky precedent i rrezikshëm e çon Kosovën në një krizë edhe më të thellë kushtetuese. Sepse kur Gjykata fillon të përcaktojë paraprakisht rezultatin politik të votës, atëherë demokracia përfaqësuese mbetet vetëm në letër”.