​Si po vlerësohet vizita e Kurtit në SHBA?

Vizita e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet me këndvështrime të ndryshme në Kosovë. Në qeverinë në detyrë nuk treguan për KosovaPress, rezultatet dhe produktivitetin e takimeve të Kurtit në SHBA, në drejtim të rikthimit të dialogut strategjik. Mirëpo, në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë e Kurtit, thonë se kjo…

Lajme

30/09/2025 18:57

Vizita e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet me këndvështrime të ndryshme në Kosovë. Në qeverinë në detyrë nuk treguan për KosovaPress, rezultatet dhe produktivitetin e takimeve të Kurtit në SHBA, në drejtim të rikthimit të dialogut strategjik.

Mirëpo, në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë e Kurtit, thonë se kjo vizitë është e dobishme për forcim të marrëdhënieve me SHBA-në, ndërsa në partitë ish-opozitare, si dhe analistë politikë deklarojnë se Kurti s’ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Kurti që nga 25 shtatori po qëndron në SHBA, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në bazë të njoftimeve nga Zyra e Kryeministrit, ai është takuar me kongresmenë dhe senatorë të ndryshëm amerikanë, por nuk është pritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që përfaqëson ekzekutivin amerikan.

KosovaPress ka pyetur në qeverinë në detyrë se pse Kurti s’ka pasur takime të tilla, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

SHBA më 12 shtator ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për arsye, siç është thënë, të veprimeve të qeverisë në detyrë Kurti.

Kurti gjatë vizitës në SHBA dha dy arsyet se pse është marrë ky vendim; ai përmendi sundimin e ligjit në veri të Kosovës, si dhe përpjekjet e SHBA-së për ta larguar Serbinë nga Federata Ruse.

Këto argumente, sipas deputetit të LVV-së, Arbër Rexhaj, janë të qëndrueshme, ani pse të hënën një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se “pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën është i bazuar kryesisht në veprimet e qeverisë në detyrë”.

Sipas Rexhajt, dialogu strategjik është ende një koncept dhe se i njëjti nuk ka filluar, derisa tha se takimet e Kurtit me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, tregojnë për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Dialogu strategjik me SHBA-në ka qenë koncept në përpilim dhe në atë se çfarë duhet të përmbajë. Është pezulluar dialogu strategjik apo të themi një koncept ende pa filluar. Natyrisht, kryeministri Kurti ka shkuar në vizitë në SHBA, në takime me kongresmenë, senatorë dhe biznese shqiptaro-amerikane… Sa herë që Kurti takohet me personalitete zyrtare amerikane, gjithmonë ka një tendencë prej opozitës të thuhet që nuk ka qenë në Departament të Shtetit, jo s’ka qenë në Shtëpi të Bardhë. Mirëpo takimet me zyrtarë amerikanë janë të rëndësishme dhe secili ka peshën e vet. Nga ajo çka kam parë unë, takimet kanë qenë të nivelit të lartë”, tha ai.

Mirëpo të kundërtën e thotë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila kritikon Kurtin për prishje të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo deklaron për KosovaPress, se arsyetimet e Kurtit për pezullimin e dialogut strategjik janë të paqëndrueshme, derisa shton se i njëjti nuk është pritur në asnjë takim të nivelit të lartë në SHBA.

“Po mendoj që zotëri Kurti me këtë vizitë ka dashur të demantojë acarimin e raporteve me SHBA-në, por në fakt ne e pamë se nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë sesi është dashur të pritet një kryeministër. Megjithatë, ai është vetëm një deputet dhe dhunshëm po e mban edhe postin e kryeministrit të Kosovës… Është e tmerrshme ajo çka ka thënë zotëri Kurti. Veprimet e tij në raport me aleatët ndërkombëtarë janë të tmerrshme. Është turp për këto deklarata dhe qëndrime të Kurtit, pasi po shkatërron miqësinë dhe aleancat e krijuara ndër-dekada”, deklaron Kadrijaj.

Ndërkaq, analisti politik, Albinot Maloku, deklaron për KosovaPress, se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të gjitha takimet në SHBA i ka pasur në nivel të legjislativit, madje sipas tij, të njëjtat janë në përputhje me pozicionin e tij prej deputeti.

“Fjalimi i tij, mënyra e shpjegimit, vetëkuptimi i asaj çka mendon se duhet ose është ka dalë në momente të caktuara qesharake përveçse tragjikomike për raportin që Kosova duhet të ketë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, këto vizita që i pati, të gjitha në nivelin e legjislativit amerikan janë të përputhshme prej pozicionit të tij që e ka prej deputeti. Qeveritarët takohen me qeveritarët dhe nuk arriti ende të ketë një takim të tillë”, shton Maloku.

Mirëpo këto kritika, sipas deputetit të LVV-së, Rexhaj, nuk janë reale, madje thotë se nuk i mirëkupton ish-partitë opozitare, të cilat sipas tij, për inat të Kurtit po kënaqen me dështimin eventual të Kosovës.

“Opozita nuk po tregohet vetëm opozitë por po është më radikale dhe e ashpër në kuptimin e asaj duke thënë përshtypjen sikur po kënaqet me ndalimin e konceptit për dialogun strategjik, pasi nuk ka filluar dialogu strategjik pasi ka qenë në hartim e sipër. Unë e kuptoj opozitën dhe zhurmat e tyre, por nuk mund të mirëkuptoj subjektet politike që për inat të Kurtit kënaqen me dështimin eventual të Kosovës”, deklaron Rexhaj.

Krahas qëndrimit të Kurtit, në SHBA është duke qëndruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila po ashtu ka zhvilluar një sërë takimesh në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.