Clinton: Kosova, rasti i vetëm në botën moderne ku lufta u fitua nga ajri sepse kosovarët nuk u dorëzuan kurrë

Në një panel të organizuar nga Clinton Global Initiative, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton. Në fjalimin e tij, Bill Clinton e përgëzoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke përmendur rritjen ekonomike dhe sigurinë. “Dua ta nis me presidenten Osmani, shumë nga ju që jetoni në…

Lajme

28/09/2025 18:37

Në një panel të organizuar nga Clinton Global Initiative, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

Në fjalimin e tij, Bill Clinton e përgëzoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke përmendur rritjen ekonomike dhe sigurinë.

“Dua ta nis me presidenten Osmani, shumë nga ju që jetoni në New York e dini këtë, por më së shumti shqiptarë e kosovarë jetojnë në New York. Jam shumë krenar me ty dhe njerëzit e tu. Ti ke menaxhuar rritjen ekonomike dhe sigurinë”, tha Bill.

Ai gjithashtu përmendi angazhimin e tij në Kosovë gjatë luftës, duke shpjeguar se shumë njerëz menduan se ishte i çmendur kur e kishte bërë një gjë të tillë.

“Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë; shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë dhe në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, tha Clinton.

Ndërkaq, presidentja Osmani përshkroi Kosovën si një histori suksesi, duke theksuar se ky sukses është rezultat i përpjekjeve të brendshme, por edhe i mbështetjes ndërkombëtare.

Ajo përmendi edhe renditjen nga Instituti Gallup se, pas dy dekadash nga liria dhe pavarësia, Kosova është sot një nga shtetet më të sigurta në Evropë.

“Kosova është është një storje suksesi, por ky sukses nuk na atribuohet vetëm neve por edhe juve. Sot dy dekada pasi jemi të lirë, dhe pas pavarësisë, Kosova është shteti më i sigurt në Evropë”, tha Osmani./Lajmi.net/