Maratona Prishtina 2025: Policia njofton për bllokime dhe devijime e këtyre rrugëve të dielën

Me rastin e organizimit të Maratonës Ndërkombëtare Prishtina 2025, e cila do të mbahet të dielën, më 28 shtator, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ofrimin e sigurisë gjatë ngjarjes, si dhe ka hartuar një plan për bllokimin, kufizimin dhe devijimin e disa segmenteve rrugore në kryeqytet dhe përreth tij.…

Lajme

27/09/2025 17:42

Me rastin e organizimit të Maratonës Ndërkombëtare Prishtina 2025, e cila do të mbahet të dielën, më 28 shtator, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ofrimin e sigurisë gjatë ngjarjes, si dhe ka hartuar një plan për bllokimin, kufizimin dhe devijimin e disa segmenteve rrugore në kryeqytet dhe përreth tij.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë – Prishtinë, qarkullimi do të ndërpritet përkohësisht në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, në të dy drejtimet, deri te nyja në autostradën “Ibrahim Rugova”, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në përfundim të maratonës, transmeton lajmi.net.

Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata që të ndjekin udhëzimet dhe të përdorin rrugë alternative, si më poshtë:

Rrugët alternative të rekomanduara nga Policia e Kosovës:

  1. Pejë → Prishtinë: Përmes Sllatinës – fsh. Magurë – Lipjan, pastaj në rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë.

  2. Pejë → Fushë Kosovë: Përmes Sllatinës – Bardh i Vogël – fsh. Kuzmin – Fushë Kosovë.

  3. Prishtinë/Veternik → Pejë/Aeroport: Përmes Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.

  4. Mitrovicë → Pejë/Aeroport: Përmes autostradës Mazgit – Lipjan, pastaj Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.

  5. Mitrovicë → Ferizaj: Lëvizje e lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.

  6. Transporti publik (autobusët) në relacione Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport – Pejë nuk do të lejohet në rrugën e bllokuar gjatë kohës së garës dhe duhet të ndjekë rrugët alternative të lartpërmendura.

Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre për të shmangur vonesat dhe ndalesat e panevojshme, si dhe të respektojnë sinjalizimin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren./lajmi.net/