24 orë tragjike në Kosovë: Tre jetë të humbura në aksidente rrugore

Brenda një periudhe 24-orëshe, tri aksidente të rënda trafiku kanë ndodhur në vende të ndryshme të Kosovës, duke lënë pas vetes tri viktima dhe disa të lënduar. Një aksident i rëndë u regjistrua pasditen e së martës në Kaçanik, ku si pasojë e përplasjes mes dy veturave, ka humbur jetën Selman Luzha, nga fshati Begracë,…

Lajme

24/09/2025 09:29

Brenda një periudhe 24-orëshe, tri aksidente të rënda trafiku kanë ndodhur në vende të ndryshme të Kosovës, duke lënë pas vetes tri viktima dhe disa të lënduar.

Një aksident i rëndë u regjistrua pasditen e së martës në Kaçanik, ku si pasojë e përplasjes mes dy veturave, ka humbur jetën Selman Luzha, nga fshati Begracë, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në këtë aksident kanë mbetur të lënduara edhe dy gra – njëra prej tyre drejtuese e njërës prej veturave dhe pasagjerja në të njëjtin mjet. Trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjes me vendim të prokurorit të rastit, transmeton lajmi.net.

Një tjetër aksident fatal ndodhi mëngjesin e së martës në fshatin Zajm të Klinës, ku humbi jetën Veton Kastrati, 33-vjeçar nga fshati Lëbushë. Ai do të varroset sot në ora 17:00 në varrezat e fshatit të tij. Nga ky aksident vdekjeprurës, jetën e ka humbur edhe një person tjetër, ndërsa dy persona të tjerë janë lënduar dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës.

Po ashtu, si pasojë e të njëjtit aksident në Zajm, ka ndërruar jetë edhe Përparim Dushkolli, banor i Korroticës së Epërme të Drenasit. Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e fshatit. Lajmi është konfirmuar nga familjarët përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e secilit prej aksidenteve, ndërsa policia ka apeluar për kujdes të shtuar në trafik, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave rrugore për të shmangur tragjedi të tilla./lajmi.net/