​Përkeqësohet bilanci tregtar, bie eksporti e rritet importi

Eksporti i mallrave kosovare ka shënuar rënie në gusht të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përderisa ka rritje të theksuar të importit. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar sot, raporton KosovaPress. Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një…

Lajme

23/09/2025 16:46

Eksporti i mallrave kosovare ka shënuar rënie në gusht të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përderisa ka rritje të theksuar të importit. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar sot, raporton KosovaPress.

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 7.7 për qind në muajin gusht 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 536.8 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 498.5 milionë euro në vitin 2024.

Derisa sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 12.4 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2025 kishte vlerën 76.2 milionë euro, ndërsa importi 613.1 milionë euro, që është një rënie prej 8,7 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 5.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 18 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 13.8 për qind e përbëjnë produktet minerale, 13.8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.9 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 10.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, si dhe 7.5 për qind e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit 15.5% e përbëjnë produktet minerale, 13.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit, 11,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 23.4 milionë euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,6). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,4%), Holanda (2,4%), Italia (2,1), etj”, thuhet në raprot.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 261,7 milion Euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,0%), Italia (4,2%), Polonia (3,9%), etj.

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 38,2 milionë euro, ose 50,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 12,6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (22,4%), Maqedonia e Veriut (13,0%), Serbia (7,7%), Mali i Zi (5,2%),

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 77,9 milion Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,1%), Shqipëria (3,6%), Serbia (3,0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14,7 milion Euro, ose 19,2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe Turqia (3,7%).

Po ashtu sipas ASK-së, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 273.5 milionë euro, ose 44.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina me 14.5 për qind dhe Turqia me 12.9 për qind.