Deklarimi i kryetarëve të komunave: Kush u pasurua më së shumti?
Banesa, vetura, shtëpi, tokë, garazha e para të gatshme. Shumë nga kryetarët e 38 komunave të Kosovës kanë deklaruar se, aktualisht, kanë më shumë pasuri të tillë sesa që kanë pasur katër vjet më parë, kur kanë filluar mandatin e tyre udhëheqës. Meqë si persona publikë, kryetarët e komunave detyrohen ta deklarojnë pasurinë çdo vit,…

Lajme
Banesa, vetura, shtëpi, tokë, garazha e para të gatshme.
Shumë nga kryetarët e 38 komunave të Kosovës kanë deklaruar se, aktualisht, kanë më shumë pasuri të tillë sesa që kanë pasur katër vjet më parë, kur kanë filluar mandatin e tyre udhëheqës.
Meqë si persona publikë, kryetarët e komunave detyrohen ta deklarojnë pasurinë çdo vit, Radio Evropa e Lirë krahasoi pasurinë e tyre në fillim dhe tani, në fund të mandatit aktual.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, më së shumti del të jetë pasuruar Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës.
Gjini e ka arsyetuar këtë pasurim duke thënë se ka shitur një dyqan në Prishtinë dhe një banesë në Gjakovë.
Prej këtyre shitjeve ka thënë se ka fituar rreth 450 mijë euro.
Për kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, dokumenti i publikuar për pasurinë e tij në fillim të mandatit qeverisës, nuk është i lexueshëm.
Për këtë arsye, ishte e pamundur që të krahasohej pasuria e tij. Shifra prej rreth 17 mijë eurosh pasqyron vetëm pasurinë e tij aktuale.
Disa, si Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut dhe Ilir Peci i Zveçanit, kanë deklaruar se nuk kanë asnjë cent para të gatshme në institucione financiare, si banka.
Në këto të dhëna për zotërimin e parave të gatshme hyn edhe pasuria që e zotërojnë bashkëshortët, fëmijët dhe prindërit e deklaruesit – kushdo që është pjesë e bashkësisë familjare.
Kjo bëhet me qëllim që të vështirësohet fshehja e pasurisë.
Sipas të dhënave, edhe shumë prej blerjeve të bëra nga kryetarët që janë pasuruar gjatë këtyre viteve, janë deklaruar se janë bërë nga familjarët e tyre.
Gjithashtu, shumë prej kryetarëve të komunave që kanë deklaruar se kanë më pak para sesa që kanë pasur në fillim të mandatit aktual, kanë blerë prona të shumta gjatë kësaj periudhe.