“Porosi e bashkëluftëtarëve në Hagë”: Shukri Buja tregon planet për Lipjanin
Për arsim cilësor, shëndetësi publike për të gjithë, ujë të pijshëm e trajtim të ujërave të zeza, Shukri Buja po synon të rikthehet në krye të Komunës së Lipjanit. Kthimi i tij në udhëheqjen e kësaj komune, sipas tij, përveç që është nevojë, është edhe kërkesë e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në…

Lajme
Për arsim cilësor, shëndetësi publike për të gjithë, ujë të pijshëm e trajtim të ujërave të zeza, Shukri Buja po synon të rikthehet në krye të Komunës së Lipjanit. Kthimi i tij në udhëheqjen e kësaj komune, sipas tij, përveç që është nevojë, është edhe kërkesë e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Buja, i cili është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, e konsideron të fituar garën në zgjedhjet lokale 2025. Sipas tij, 12 vjet qeverisje nga kryetari aktual, Imri Ahmeti, e kanë “degraduar qytetin”.
“Është një degradim tepër i madh urban, është një moszhvillim i Lipjanit, është një ngecje tepër e madhe në të gjitha fshatrat, me shumë pasoja që i ka për 12 vjet të kësaj qeverisje dhe realisht insistimi i shumë bashkëluftëtarëve të mijë pas luftës, i njerëzve që e udhëheqin partinë, në veçanti udhëheqja e degës së partisë dhe e qendrës së partisë kanë bërë që unë të rikthehem si kandidat. Dhe është një nga porositë e bashkëluftëtarëve që po vuajnë në burgjet e Hagës”, deklaron Buja.
Buja premton se nëse arrin të jetë në krye të Lipjanit, në pozita udhëheqëse komunale do të jenë të emëruara mbi 30% gra.
“Pavarësisht që nuk është kuota ligjore në aspektin e drejtorive, kam dhënë premtimin që mbi 30% të drejtorive do të jenë të udhëhequra nga gratë, kam arsyetimin e plotë sepse janë shumë më të ndjeshme shumë më të përgjegjshme në udhëheqje dhe besoj se kjo do të jetë shumë lehtë e realizueshme”, shprehet ai.
E konkurrencën për garën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit për Lipjanin, Buja nuk e konsideron të fuqishme, ndërsa beson se kjo komunë do të jetë në balotazh.
“Kryetari që ka qenë deri tash i ka 12 vite mandat, dhe po pretendon edhe 4 vite, realisht nëse merremi nga ky shembull ky nuk do të duhej të kandidojë fare, por pavarësisht pretendimeve të zotëri Ahmeti, ai është që i ka lodhur qytetarët me politikën e tij, ka shtruar rrugë private, të anëtarëve të tij, ka shtruar rrugë me anime politike, ka punësuar njerëz me kërkesën për vota edhe sot shantazh tek punëtorët që nëse dalin në përkrahje të PDK-së do ta pësojnë me vende pune. Realisht e ka humbur busullën, kam besimin e plotë sidomos me përkrahjen që po e shoh që zotëri Ahmeti do të jetë një njeri që do të shkojë në shtëpi, konkurrencën nuk e shoh të fuqishme…Nëse do të jemi në balotazh sigurisht do të jemi të parët, PDK dhe kandidati i PDK-së, dhe në balotazh dihet ajo që ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Tash për raundin e parë kemi koalicion bukur të mirë e në raundin e dytë bukur më të fuqishëm”, shprehet Buja.
Prioriteti kryesor i Bujës nëse arrin të rikthehet në qeverisjen e Lipjanit është digjitalizimi i arsimit, shëndetësi të mirë-organizuar dhe zhvillim ekonomik.
Mbështetje për bizneset përmes ndërtimit të Tregut të ri dhe mbështetjes përmes trajnimeve të vazhdueshme janë disa nga synimet që Buja i ka për lipjanasit.
“Kemi një program të qartë në të gjitha fushat dhe kompetencat komunale që e fillojmë me arsimin i cili do të jetë digjital e jo vetëm me tabela smart por edhe me ditarë digjital, kemi ngrohjet alternative për shkollat. Kemi ndërlidhjen e praktikës profesionale me pagesë, po ashtu kemi shëndetësinë e cila është e organizuar në mënyrë anarkike dhe të paorganizuar në Lipjan që do ta organizojmë shumë mirë, shumica e Qendrave të Mjekësisë Familjare nuk funksionojnë 24 orë dhe kemi një mbipopullim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kemi zhvillimin ekonomik si prioritet i kapitullit të tretë, zonat industriale janë tri zona që i kam shpall në kohën që kam qenë kryetar t’i funksionalizojë ato tri zona. Pjesë e zhvillimit ekonomik do të jetë edhe zhvillimi bujqësor i cili nuk zhvillohet përmes serrave dhe motokultivatorëve, por përmes subvencionimit të projektet të cilat e zhvillojnë bujqësinë“, deklaron kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit.
Buja po synon që brenda mandatit qeverisës të zgjidh për banorët e Lipjanit çështjen e ujit të pijes për fshatrat dhe qytetin.
“Prioriteti i parë si kryetar i komunës që është çështja e ujit të pijshëm. Paramendoni viti 2025, 15 fshatra janë pa rrjet të ujësjellësit fare, qyteti i Lipjanit në katet e katërta e mbi nuk shkon uji. Në Janjevë e kemi tmerrësisht keq asnjëherë nuk është zgjedhur çështja e ujit të Janjevës në Sllovi e kemi njëjtë gjendje ka rrjet por nuk ka ujë. Në Gadime është investuar 5 milionë, por nuk ka ujë të pijes se gabimi është që nuk është ndërruar rrjeti që 12 vite në fshatin Gadime Epërme dhe të Ulët. Po ashtu, ujërat e zeza, nëse shkoni tek lumi Sitnica nuk mund të qëndroni ashtu sepse gjitha ujërat e zeza derdhen në lumin Sitnica dhe nuk ka arritur ky ekzekutiv të përkujdeset që të realizohet një projekt i filluar nga viti 2010 është përjashtuar Lipjani nga ky projekt është realizuar kontrata e realizimit të fabrikës së përpunimit të ujërave të zeza që në atë kohë ka qenë Lipjani, Shtimja, Prishtina, Podujeva, Obiliqi dhe Fushë-Kosova, tani është futur Graçanica dhe jo Lipjani, është nënshkruar kjo kontratë dhe ne jemi jashtë këtij projekti për shkak të neglizhencave dhe mos interesimit të këtij ekzekutivi”, deklaron Buja.
Duke premtuar ndërtimin e shkollave të reja sidomos në qytet, Buja shpreh bindjen se qeverisja e tij do të sjellë ndryshime substanciale në arsim.
Krahas procesit të digjitalizimit, ai paralajmëron edhe nisjen e një pilot-projekti për mësimin gjithë ditor, duke e konsideruar këtë një hap drejt modernizimit të sistemit arsimor.
“E ka politizuar edhe mësimdhënien dhe realisht kjo do të marr fund sepse fëmijët tanë po përgatiten aty, në rast se politizojmë arsimin si do të përgatiten fëmijët tanë në këtë drejtim kur janë jo profesionalë dhe i marrim për shkak të përcaktimeve politike…Kur komuna të tjera nuk e kanë pas as ëndërr një projekt të tillë, sa isha kryetar kemi ndërtuar 5 shkolla me infrastrukturë për të zhvilluar mësimin tërë ditor dhe ato shkolla janë të ndërtuara, ne do të zhvillojmë pilot projekt se si do të zhvillohet ky mësim në vitet e para për t’u zgjeruar pastaj edhe në shkollat tjera ky nuk është vetëm në aspektin e mësimdhënies dhe mësim nxënies është atraktiv”, theksoi ai.
Buja premton 1 mijë euro për fëmijën e pestë dhe 100 euro mbështetje mujore për familjet që kujdesen për të moshuarit me aftësi të kufizuara.
“Ka filluar të bie tepër shpejt nataliteti në Kosovë, në programin tonë e kemi fëmija i pestë të subvencionohet nga komuna e 1 mijë euro, kemi familjet që kanë njerëz apo pleq të palëvizshëm dhe ne do t’i subvencionojmë çdo familje nga 100 euro në muaj që të mund t’i dalin zot mbikëqyrjes së këtyre personave”, theksoi ai.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja premton edhe ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve në Lipjan.
Buja thotë se kthimi në udhëheqjen e kësaj komune, sipas tij, përveç që është nevojë, është edhe kërkesë e ish-krerëve të UCK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Buja i cili ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konsideron se dëshmia e ish-ndihmësit të Sekretarit amerikan, James Rubin në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi në Hagë tregoi se UÇK nuk kishte strukturë të organizuar, por vullnetare, që synim kishte çlirimin e Kosovës.
“Unë kam pritur që James Rubin ta thotë të vërtetën për luftën, me gjithë luftën jemi munduar ta fitojmë simpatinë e faktorit ndërkombëtar e ne gjithmonë iu kemi folur ushtarëve që të jenë të kujdesshëm e të mos na cilësojnë si terroristë dhe me këtë angazhim kemi arritur ta përfitojnë faktorin ndërkombëtarë në mbështetjen tonë…[Rubin] E theksoi shumë qartë strukturën tonë e cila ka qenë vullnetare, ne kemi qenë ushtri vullnetare nuk kemi qenë ushtri e rregullt sepse nuk kemi pas mundësi as shtet për të organizuar një ushtri të rregullt, por kemi pas ushtrinë vullnetare e cila me vullnet të jashtëzakonshëm ka qenë për çlirimin e Kosovës”, theksoi ai.
Motoja e Partisë Demokratike të Kosovës për Lipjani është “Ma mirë për Lipjanin”.
Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 13 shtator dhe përfundon më 12 tetor në ora 06:59 para hapjes së qendrave të votimit./kp