Fetoshi: Parada e Vuçiqit, zgjatim i strategjisë së Putinit
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se parada e Aleksandër Vuçiqit, është zgjatim i provokimeve të Putinit kundër NATO-s dhe arkitekturës rajonale të sigurisë. “Një mik në Beograd, emrin e të cilit me qëllim s’po e përmend, më tregoi se tash e dhjetë ditë tanket janë në rrugët e…

Lajme
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se parada e Aleksandër Vuçiqit, është zgjatim i provokimeve të Putinit kundër NATO-s dhe arkitekturës rajonale të sigurisë.
“Një mik në Beograd, emrin e të cilit me qëllim s’po e përmend, më tregoi se tash e dhjetë ditë tanket janë në rrugët e kryeqytetit serb, ndërsa sot protestuesit janë bllokuar nga policia, që të mos dëgjohen fishkëllimat kundër Vuçiqit në televizor. Një tjetër frikësim në stilin stalinist, më tha dhe e mbyllëm me shpresën që të fundoset sa më parë kjo politikë e çmendur armiqësore në Serbi”, shkroi ai në Facebook.
Fetoshi përmendi se menjëherë pas shfaqjes në paradën e Pekinit dhe në vazhdim të pjesëmarrjes kërcënuese në paradën ruse të majit, Vuçiq ekspozon fuqinë ushtarake të Serbisë si mesazh për “epërsinë” rajonale dhe si nxitje të “krenarisë” për mobilizimin e qytetarëve serbë, duke i paralajmëruar protestuesit, me falënderimin e Rusisë për “informacionet” e marra nga SVR (Foreign Intelligence Service) mbi gjoja planifikimin e një “maidani serb” (në analogji me Revolucionin e Dinjitetit në Ukrainë) nga evropianët.
“Një taktikë e njohur që ngërthen “viktimizimin” – duke e paraqitur Deklaratën e Përbashkët të Mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës si kërcënim, “manipulimin” – duke përdorur dezinformimin dhe nxitjen emocionale në projektimin e armikut ‘evropian’, dhe “nacionalizmin” – duke konfirmuar edhe me manifestime të ngjashme përkatësinë strategjike në boshtin Moskë-Pekin. Në kontekstin e brendshëm, parada e “fuqisë së unitetit” është po ashtu një përgjigje e dëshpëruar e Vuçiqit ndaj largimeve nga ushtria, si shenjë e rebelimit gjithnjë e më të madh kundër politikës së tij militariste”, tha ai.
Ndërkohë që protestat qytetare duket se kanë filluar të japin efektin e ndërgjegjësimit, regjimi i tij paralajmëron rikthim të shërbimit ushtarak për civilët dhe dërgon mesazhe frikësuese përmes ekspozimit të “forcës” me rreth 10 mijë ushtarë, 600 automjete luftarake, avionë e sisteme të avancuara kineze dhe ruse.
“Përballë një besimi tashmë të rrënuar publik, Vuçiq e ka të qartë se efekti frikësues nuk mjafton. Prandaj, për ta zhvendosur vëmendjen nga pakënaqësia qytetare, spektaklit të “forcës” i duheshin edhe emocionet e “unitetit” kolektiv, në përpjekje për ta rivendosur legjitimitetin e pushtetit të tij. Mirëpo, duke mos qenë një shfaqje ceremoniale që lidhet me ndonjë datë të caktuar, parada e sotme në Beograd është një zgjatim i provokimeve të fundit të Rusisë brenda hapësirës ajrore të NATO-s, e cila duhet të shërbejë si alarm për Kosovën dhe partnerët e tjerë rajonale të sigurisë euro-atlantike. Militarizimi i Serbisë nuk është “neutralitet” apo investim në modernizim, por pjesë e një komunikimi strategjik që ka për qëllim “imponimin” e fuqisë ushtarake si instrument të politikës revizioniste dhe ekspansioniste. Ndryshe s’ka si shpjegohet armatosja e saj nga diversifikimi taktik i burimeve (avionët francezë Rafale, sistemet ruse dhe armët kineze FK-3/HQ-22 të mbrojtjes ajrore) duke u bërë fuqia më të madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, në kontekstin e qëllimeve të saj të hapura ekspansioniste përmes projektit të “Botës Serbe”. Si amplifikator i narrativave dhe politikave të Moskës në Ballkan, Serbia e ka përdorur taktikisht Francën për “balancim” me Perëndimin, por sot tregoi se nuk do ta braktisë orbitën “shpëtimtare” ruse dhe kineze”, tha Fetoshi.
Ai tha se ajo po e shfrytëzon “balancimin” për ta rritur fuqinë mashtruese në kuadër të synimeve të saj territoriale, ndërkohë që vazhdon t’i shërbejë propagandës dhe qëllimeve antiperëndimore të Rusisë, me narrativën e NATO-s si “agresore” dhe komplotion “europian” për “maidanin serb”.
“Prandaj, demaskimi i paradës në Beograd si zgjatim i provokimeve ruse kundër NATO-s dhe rendit euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor, nuk duhet parë si një retorikë diskursive, por si sinjalizim për planet kërcënuese kundër Kosovës dhe arkitekturës së sigurisë rajonale”, shkroi Fetoshi.