Lutfi Haziri: Sjellja e Kurtit po rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në dhe fondin e Mileniumit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, po keqinterpretohet raporti i fundit i qeverisë amerikane dhe pasojat që po shkakton qasja e kryeministrit Albin Kurti në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi, Haziri theksoi se kushtëzimi nga ana e SHBA-së…

Lajme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, po keqinterpretohet raporti i fundit i qeverisë amerikane dhe pasojat që po shkakton qasja e kryeministrit Albin Kurti në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi, Haziri theksoi se kushtëzimi nga ana e SHBA-së ka rezultuar në pezullimin e dialogut strategjik, i cili kishte filluar në fund të janarit të vitit 2025. Ai paralajmëroi gjithashtu se edhe fondi i Mileniumit është i rrezikuar, për shkak të sjelljes së qeverisë Kurti, transmeton lajmi.net.
“Kushtëzimi ka suspenduar dialogun strategjik që ka filluar në fund të janarit të vitit 2025. Fatkeqësisht, dhe me këtë konfirmim, ne kemi marrë, po ashtu, edhe fondin e Mileniumit, i cili po ashtu mund të rrezikohet nga masat për shkak të sjelljes së Kurtit,” shkroi Haziri.
Ai kritikoi tendencat mediatike për të, sipas tij, manipuluar me raportin dhe për të amnistuar kryeministrin Kurti, duke theksuar se raporti përmban qartë një kushtëzim të marrëdhënieve të SHBA-së me Qeverinë e Kosovës, jo me popullin.
“Tendenca mediale me manipulu këtë raport të kushtëzuar që qeveria amerikane e ka me Kurtin dhe me disa eksponentë të qeverisë së tij, nuk e amniston,” shtoi ai.
Në fund, Haziri theksoi se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me popullin e Kosovës mbeten të paprekura dhe të pakushtëzuara, duke u zotuar se LDK do të vazhdojë të jetë “gardiane” e këtyre marrëdhënieve.
“Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të ruajtjes së marrëdhënieve me qeverinë amerikane dhe të jemi falënderues e mirënjohës deri në fund për atë që kanë bërë tash e 35 vjet – dhe 35 vitet e ardhshme besoj se do të zhvillohen edhe më shumë,” përfundoi ai./lajmi.net/