Ramadani: Atmosfera brenda Policisë së Kosovës, si në kohën e Enver Hoxhës

Burim Ramadani ka krahasuar suspendimin e katër policëve pasi qeshën me kryekuvendarin Dimal Bashën, me logjikën e regjimit të Enver Hoxhës. Në një intervistë për emisionin “Kosova Live’’ Ramadani tha se ky rast është cenim i privatësisë së policëve duke hyrë në bisedat e tyre private dhe shfrytëzim i situatës për arsye politike. “Policët nuk…

Lajme

17/09/2025 15:57

Burim Ramadani ka krahasuar suspendimin e katër policëve pasi qeshën me kryekuvendarin Dimal Bashën, me logjikën e regjimit të Enver Hoxhës.

Në një intervistë për emisionin “Kosova Live’’ Ramadani tha se ky rast është cenim i privatësisë së policëve duke hyrë në bisedat e tyre private dhe shfrytëzim i situatës për arsye politike.

“Policët nuk janë robotë. Edhe ata kanë privatësinë e tyre, kanë të drejtë të flasin dhe të bëjnë shaka mes vete. Suspendimi për një komunikim privat është logjikë e gabuar dhe e rrezikshme”, u shpreh Ramadani.

Ai paralajmëroi se një vendim i tillë krijon klimë frike brenda Policisë së Kosovës, të ngjashme me sistemet represive. “Në Shqipërinë e Enver Hoxhës thoshin se edhe muret dëgjojnë. Po të flisje në shtëpi, dikush shkonte te qeveria për të treguar. Po e njëjta atmosferë po instalohet edhe sot, kur policët po ndëshkohen për dy tri shaka në një grup privat”, tha ai.

Ramadani theksoi se për 26 vjet është investuar për të ndërtuar profesionalizëm dhe besim në Policinë e Kosovës, por vendime të tilla e dëmtojnë institucionin. Ai e cilësoi suspendimin “masë të tepruar”, e cila merret vetëm në raste të shkeljeve serioze disiplinore ose penale dhe se në këtë rast nuk ekziston asnjë element i tillë.