Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore

Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës se i ka ngritur në ajër avionët luftarakë dhe e ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”. Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së…

Bota

10/09/2025 08:27

Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës se i ka ngritur në ajër avionët luftarakë dhe e ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”.

Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Rusia e kishte nisur një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe afër kufirit me Poloninë.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në X se ishte njoftuar nga Komanda Operacionale e Ushtrisë lidhur me “rrëzimin e dronëve që u futën në hapësirën tonë ajrore dhe që mund të përbënin kërcënim”.

Ai tha se e ka njoftuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet e ndërmarra nga pala polake.

Nuk raportohet për viktima në Poloni dhe mbetet e paqartë sa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë.
Ushtria tha se është duke kërkuar për mbetjet e dronëve të rrëzuar.

“Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi Komanda Operacionale e Ushtrisë në një postim në X.

Ky incident i ka rritur ndjeshëm tensionet në Varshavë dhe në radhët e anëtarëve të tjerë të aleancës ushtarake të NATO-s.

Ndërkohë, deri tani nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Polonia tha gjithashtu se i ka mbyllur katër aeroporte, përfshirë aeroportin kryesorin e vendit në Varshavë.

Rregullatori amerikan i aviacionit, Administrata Federale e Aviacionit (FAA), lëshoi një njoftim se edhe Aeroporti Rzeszow–Jasionka në juglindje është mbyllur. Ky aeroport është lidhje e rëndësishme për transportin e pasagjerëve dhe të armëve drejt Ukrainës.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, pothuajse i gjithë vendi, përfshirë rajonet perëndimore të Volinit dhe Lvivit, janë nën alarm ajror në orët e para së mërkurës.

Qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, ka pasur disa incidente me dronë rusë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të shteteve kufitare me Ukrainën, përfshirë Poloninë dhe Rumaninë, por deri tani ato kishin shmangur rrëzimin e tyre.

Zyrtarët kanë përmendur rrezikun fizik që mund të shkaktojnë veprime të tilla dhe dëshirën për të shmangur përshkallëzim të tensioneve midis Rusisë dhe NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë tregon se presidenti rus, Vladimir Putin, po e zgjeron luftën dhe po e vë në provë Perëndimin.

“Sa më gjatë që ai nuk përballet me përgjigje të fortë, aq më agresiv bëhet”, tha Sybiha në X. “Një përgjigje e dobët tani do ta provokojë edhe më shumë Rusinë – dhe atëherë raketat e dronët rusë do të fluturojnë edhe më thellë brenda Evropës”.