Komuna më e vogël në Kosovë, me numrin më të madh të kandidatëve për kryetar komune
Komuna e Prishtinës në zgjedhjet lokale të ardhshme do të ketë gjithsej dhjetë kandidatë për kryetar, duke qenë një nga garat më të ngjeshura në nivel vendi. Po aq kandidatë do të ketë edhe Mitrovica e Veriut, komuna më e vogël e Kosovës për nga sipërfaqja. Në Zubin Potok dhe Pejë garojnë nga nëntë kandidatë…

Lajme
Komuna e Prishtinës në zgjedhjet lokale të ardhshme do të ketë gjithsej dhjetë kandidatë për kryetar, duke qenë një nga garat më të ngjeshura në nivel vendi. Po aq kandidatë do të ketë edhe Mitrovica e Veriut, komuna më e vogël e Kosovës për nga sipërfaqja.
Në Zubin Potok dhe Pejë garojnë nga nëntë kandidatë për të parin e komunës, ndërsa në Kaçanik, Drenas dhe Leposaviq janë nga shtatë kandidatë. Obiliqi ka gjashtë kandidatë për kryetar.
Në kontrast të plotë, Ferizaj – një nga komunat më të mëdha të vendit – ka vetëm katër kandidatë, po aq sa edhe Mitrovica.
Sipas analistit politik Shemsi Jashari, numri i ulët i kandidatëve në komunat e mëdha lidhet me frikën nga humbja dhe dëmtimi i imazhit politik.
“Ky fenomen vjen si rezultat i moskandidimit në komunat e mëdha, përfshirë edhe kryeqytetin, pasi edhe humbja e tyre do të ishte e thellë dhe rrjedhimisht imazhi i tyre politik e partiak do të dëmtohej shumë”, tha Jashari për ATV-në.
Ndërkaq analisti politik Basri Muja e sheh ndryshe. Ai thekson se numri i madh i kandidatëve krijon një lloj fryme pozitive për listat e partive.
“Numri i madh i kandidatëve për kryetarë të komunave, sado që pjesa më e madhe e tyre e kanë të qartë që gjasat për t’u zgjedhur janë minimale, është shumë më shumë se tentim për krijimin e një sinergjie pozitive për listën e kandidatëve të partisë përkatëse”, u shpreh Muja.
Pjesë e garës lokale, përveç partive politike, janë edhe kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare. Njëra nga marrëveshjet politike të arritura deri më tani është ajo mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR), të cilat do të garojnë në koalicion.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hapur afatin për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për të votuar. Afati i aplikimit do të jetë i hapur deri më 7 tetor.