Sllovenia dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak

Ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Borut Sajoviq, dhe homologu i tij kroat, Ivan Anushiq, kanë nënshkruar  të premten në Zagreb një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim ushtarak, duke forcuar partneritetin strategjik mes dy vendeve fqinje. Gjatë ceremonisë, ministri kroat Anuashiq theksoi se kjo marrëveshje hap një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke u përshtatur…

Lajme

06/09/2025 23:52

Ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Borut Sajoviq, dhe homologu i tij kroat, Ivan Anushiq, kanë nënshkruar  të premten në Zagreb një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim ushtarak, duke forcuar partneritetin strategjik mes dy vendeve fqinje.

Gjatë ceremonisë, ministri kroat Anuashiq theksoi se kjo marrëveshje hap një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke u përshtatur me ndryshimet që po ndodhin në botë.

“Gjërat kanë ndryshuar dhe kërkojnë që bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen, të forcohet më tej”, u shpreh ai. Sipas tij, marrëveshja ushtarako-teknike dhe deklarata e përbashkët e nënshkruar mbulon një gamë të gjerë bashkëpunimi, duke përfshirë sektorin e mbrojtjes, industrinë ushtarake, ekonominë dhe biznesin. “Bëhet fjalë për gjithçka që të dy vendet mund të zhvillojnë së bashku, në mënyrë që industritë tona të mbrojtjes të funksionojnë më mirë dhe më me efikasitet”, shpjegoi Anushiq, transmeton reporteri.

Ndaj kësaj marrëveshje, reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili duke komentuar deklaratën për bashkëpunim ushtarak mes Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, pretendoi se aleancat e krijuara janë kundër Serbisë.

Vuçiq tha se është i çuditur me heshtjen e BE-së dhe NATO-s, duke shtuar se do të përpiqet ta diskutojë këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë ditës së sotme reagoi ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grliq Radman, i cili hodhi poshtë  akuzat e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq se deklarata për bashkëpunim ushtarak me Slloveninë është e drejtuar kundër Serbisë.

“Ajo që tha zoti Vuçiq, është qartë se ai dëshiron të largojë vëmendjen nga situata shumë e vështirë në Serbi në situata të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Serbinë, apo ndonjë ngjarje që do të krijonte ndjesinë se po bëhet kundër Serbisë, apo kujtdo”, u tha Grliq Radman gazetarëve kur u pyetën për deklaratën e Vuçiqit.

“Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Slloveninë, ne jemi anëtarë të NATO-s, po shkëmbejmë përvoja, po thellojmë bashkëpunimin, ashtu siç nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën”, përfundoi ministri i jashtëm kroat.