Daut Krasniqi – bashkëfshatari i Valon Prebrezës – kandidat për asamble në Fushë Kosovë, në KEK e ka pozitën e u.d të drejtorit
Fushata zgjedhore ka nisur dhe gara për pushtetin lokal në Fushë Kosovë këtë vit pritet të jetë jashtëzakonisht e ashpër, jo vetëm për postin e kryetarit të komunës, por edhe për përbërjen e ardhshme të asamblesë komunale, ku parashikohet një përballje po aq e nxehtë. Në garën për kryetar të Fushë Kosovës është futur edhe…

Lajme
Fushata zgjedhore ka nisur dhe gara për pushtetin lokal në Fushë Kosovë këtë vit pritet të jetë jashtëzakonisht e ashpër, jo vetëm për postin e kryetarit të komunës, por edhe për përbërjen e ardhshme të asamblesë komunale, ku parashikohet një përballje po aq e nxehtë.
Në garën për kryetar të Fushë Kosovës është futur edhe Valon Prebreza, aktualisht drejtor i Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike. Emri i tij, ditëve të fundit, është përfshirë në polemika dhe akuza të shumta publike.
Gazetari Lirim Mehmetaj ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Prebrezës, duke e lidhur atë me ndikim në punësime në Ujësjellës, në KEK dhe në ndërmarrje të tjera publike, përfshirë edhe favorizimin e familjarëve të tij, ku përmes fotove është dokumentuar punësimi i disa personave me mbiemrin Prebreza.
Në mesin e akuzave përmendet edhe një email i dërguar nga Valon Prebreza, i cili është interpretuar si përpjekje për të ndikuar në vazhdimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Ujësjellësit.
Një tjetër rast i komentuar gjerësisht në rrjete sociale është ai një ditë pas zgjedhjeve të fundit, ku Valon Prebreza kishte falënderuar publikisht në profilin e tij në Facebook Gramos Hashanin për “angazhimin” e tij.
Lexo më shumë:
Disa javë më vonë, Hashani – nga zyrtar financiar – u emërua ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në KEK. Nuk është sqaruar kurrë se për çfarë angazhimi konkret bëhej fjalë.
Polemikat rreth ndikimit të Valon Prebrezës nuk ndalen me kaq.
Së fundmi, u.d i Drejtorit Operativ të Mirëmbajtjes në Minierë në ndërmarrjen publike “KEK”, Daut Krasniqi – i cili e mbështet publikisht Prebrezën – është bërë pjesë e listës së VV-së në Fushë Kosovë për asamble, ku kandidat për kryetar në këtë komunë nga kjo parti është Valon Prebreza.
Në profilin e tij në Facebook ai e konfirmon se e ka këtë pozitë, ndërkohë që është edhe kandidat për asamble.
Ai vjen nga fshati Bardhi i Madh, njëjtë si Valon Prebreza.
Një rastësi interesante, që ka nxitur edhe më shumë dyshimet në opinion publik. Nuk është ende e konfirmuar sa familjarë të Daut Krasniqit janë të punësuar në KEK.
Sipas ligjit, Valon Prebreza ka mandat vetëm për “monitorimin” e ndërmarrjeve publike. Por në praktikë, emri i tij po përmendet gjithnjë e më shpesh në rastet kur bëhet fjalë për ngritje në detyrë, punësime apo emërime në këto ndërmarrje.
Sa më shumë shtohen këto “rastësi”, aq më shumë forcohen zërat kritikë dhe polemikat për ndikimin e tij në këto procese.
Gjatë këtij viti, Daut Krasniqi është parë aktivisht i angazhuar në fushatë gjatë zgjedhjeve nacionale, ku ka shfaqur mbështetje të hapur për ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Pjesëmarrja e tij në aktivitetet elektorale pranë figures qendrore të Qeverisë ka ngritur pyetje rreth lidhjeve të tij politike dhe ndikimit të tyre në ngritjen e tij të shpejtë në pozita udhëheqëse brenda ndërmarrjes publike KEK./lajmi.net/